Përçarjet në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) janë një fenomen që kanë ndodhur herë pas here gjatë historisë së saj, e sidomos pas zgjedhjeve.
Një e tillë ndodhi edhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku disa ditë pasi kjo parti mbajti mbledhjen e Kryesisë së LDK-së, dolën në pah përplasjet.
Një mbledhje mjaftoi që brenda LDK-së të ‘plasin’ deklaratat e akuzat kundrejt njëri tjetrit.
Deputeti i kësaj partie, Avdullah Hoti ka kërkuar lidership të ri në këtë parti.
Se kush ka të drejtë në këtë mes, analisti Artan Muhaxhiri thotë se gjithë konteksti u ndërtua kur lidershipi aktual i LDK-së tentoi ta prezantojë rezultatin zgjedhor të 9 shkurtit si sukses, ndonëse realisht përqindja është dashur të jetë më e madhe.
Sipas tij në vend që të ndodhte reflektimi dhe analiza për shkaqe të mospasjes së rritjes së duhur të elektoratit, erdhi interpretimi pozitiv i vendit të tretë dhe dallimit prej 22 për qind ndaj Lëvizjes Vetëvendosje parti e cila nuk pati arritje zhvillimore gjatë mandatit katërvjeçar.
“Problemi kryesor me reagimin e Avdullah Hotit është se ky konflikt i brendshëm tashmë është shndërruar në të jashtëm, gjë që e vështirëson zgjidhjen e tij. Reagimet e para ndaj tij ishin naive, krejtësisht të kundërta me seriozitetin e gjendjes. Kjo çarje do të vazhdojë edhe më tej, përderisa kritikat e theksuara të mos adresohen substancialisht nga Kryetari Abdixhiku”, thotë Muhaxheri.
Nga ana tjetër analistja Magbule Shkodra thotë se ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka të drejtë të bënte një kërkesë të tillë.
Por, sipas saj është dashur të pritej deri në formimin e Qeverisë së re dhe më pas të bëhej një kërkesë e tillë.
“Së pari dua të them se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas përfundimit të zgjedhjeve e bëri një deklaratë ku ai ndër të tjera tha se do të jap përgjegjësi para strukturave të partisë për rezultatin e zgjedhjeve . Tani Avdullah Hoti i cili po kërkon përgjegjësi dhe lidership ka të drejtë të bëj një kërkesë të tillë, unë vetëm se mendoj se momenti nuk ka qenë i duhur, ndoshta ishte dashur të pritet të bëhet formimi i qeverisë, e pastaj të kërkohet besimi i Lumir Abdixhikut nga strukturat e partisë”, thotë analistja.
Ndër tjerash, Shkodra thekson se liderët partiakë duhet të mësohen që pas zgjedhjeve që nëse nuk arrin rezultatin e premtuar duhet të japin përgjegjësi.
“Vetëm se në rastin LDK-së, koha nuk ka qenë adekuate më mirë ka qenë të pritej pas formimit të Qeverisë dhe para zgjedhjeve lokale, dhe aty të kërkohet besimi për Abikixhuin dhe nëse e fiton përsëri besimin, atëherë ai si lider do të jetë shumë i fortë për ta vazhduar udhëheqjen e LDK-së”, përfundon ajo.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi 18 për qind të votave.
LDK-ja u rendit e treta pas Lëvizjes Vetëvendosje që doli e para dhe Partisë Demokratike të Kosovës që zuri vendin e dytë.
Me këto vota, LDK-ja siguroi vetëm 20 deputetë në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës. Por rezultati jo i kënaqshëm shkaktoi mospajtime dhe kërkesa për ndryshimin e udhëheqjes në parti. Avdullah Hoti, anëtar i kryesisë dhe një nga figurat e rëndësishme të LDK-së, kërkoi publikisht ndryshime.
Ai kritikoi mënyrën se si LDK-ja bëri opozitë, si dhe riorganizimin dhe programin me të cilin garoi në zgjedhjet nën udhëheqjen e Lumir Abdixhikut, që haptas tha se merr përgjegjësinë për rezultatin.
“Përgjegjësinë për këtë rezultat e marr në tërësi unë edhe për fushatën, edhe për drejtimin e partisë dhe do t’i japë llogari vetëm Lidhjes Demokratike të Kosovës”, kishte deklaruar Abdixhiku.
Megjithatë, Abdixhiku nuk i është përgjigjur kërkesave të fundit të ish-kryeministrit Hoti.
Në mbrojtje të tij doli nënkryetarja Doarsa Kica Xhelili.
“Së pari, Lumir Abdixhiku nuk ka shumë që është votuar si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës unanimisht. Së dyti, Lumir Abdixhiku duke qenë në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ka arritur për gati 70 për qind Lidhjen Demokratike të Kosovës”, kishte deklaruar
Kica Xhelili në një prej mediave. Hoti kritikoi Abdixhikun dhe strukturat e larta udhëheqëse të LDK-së edhe për favorizimin e figurave të caktuara dhe për mënjanimin e njerëzve të rëndësishëm të partisë.
I zëshëm kundër udhëheqjes aktuale u shpreh edhe ish-kryetari i Podujevës, ish-deputeti dhe ish-ministri Agim Veliu, i cili nuk u përfshi në listën zgjedhore të 9 shkurtit
“Renditjen e ka bërë vetë, renditje skandaloze ka qenë, duke lënë, ta zëmë, Avdullah Hotin, ish-kryeministrin e LDK-së, figurën e LDK-së, të 13-tin, kryetarin e grupit parlamentar të 14-tin”, kishe deklaruar Veliu.
Pakënaqësitë e Hotit dhe Veliut u shprehën pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, që u mbajt më 10 mars.
Në këtë mbledhje, e cila zgjati më shumë se 5 orë, u raportua edhe për anëtarë të tjerë të Kryesisë që kërkuan ndryshime.
Por pas mbledhjes, Abdixhiku kishte thënë se ka mbështetje dhe se do ta vazhdojë punën për rritjen e LDK-së./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Ambasadori britanik shkruan për takimin me Osmanin: Bisedime...
Kyle Walker është pensionuar nga Anglia
Hungaria miratoi rezolutën kundër anëtarësimit të Ukrainës n...
Konjufca priti në takim ambasadorin gjerman, flasin për proc...
Laporta është shprehur në favor të rinovimit të Lewandowskit
Papa Leoni XIV shkarkon peshkopin e San Diegos, i dyshuar pë...