Procesi i zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të fillojë gjatë këtij viti, përndryshe mund të jetë humbje e përpjekjeve shumëvjeçare.
Kështu deklaroi përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet dy vendeve, Miroslav Lajçak, gjatë një takimi me gazetarë të premten në Sllovaki.
Të enjten, Kosova dhe Serbia zhvilluan një raund të ri negociatash për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel, por nuk arritën të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell paralajmëroi se kjo në vetvete mund të dëmtojë shpresat e tyre për t’u bashkuar me BE-në.
Në një intervistë për mediumin sllovak TASR, Lajçaku vuri në dukje se procesi i normalizimit të marrëdhënieve tashmë kishte arritur një “pikë kthese” pasi të dy palët ranë dakord për dokumentet bazike që çojnë në normalizimin e marrëdhënieve, në shkurt në Bruksel dhe në mars në Ohër.
“Gjashtë muaj kaluan, megjithatë, zbatimi i marrëveshjes nuk filloi. Të dyja palët kanë një mosbesim të madh ndaj njëra-tjetrës. Ata thonë, më jep atë që meritoj dhe pastaj do të bëj atë që është e nevojshme”, ka përshkruar situatën Lajçak.
Ai shtoi se “nuk funksionon kështu”, teksa potencoi se kjo është arsyeja pse BE-ja paraqiti një propozim prej shtatë pikash që lejon të dyja palët të veprojnë paralelisht.
Sipas Lajçakut, propozimi i BE-së është transparent dhe i matshëm, ai mund të pezullohet në çdo kohë nëse njëra palë ndalon përmbushjen e detyrimeve të saj.
Ai i quajti të vështira negociatat e së enjtes mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
“Kurti insiston në dokumente, të cilat de facto nisin me faktin se Serbia tashmë e njeh Kosovën dhe vetëm atëherë bën pjesën e saj të punës, që natyrisht nuk është rruga e duhur përpara”, shpjegoi diplomati sllovak.
Ai ka theksuar se edhe në këtë moment nuk është e nevojshme që BE-ja të fokusohet në negociatat e mëtutjeshme me Kosovën dhe Serbinë.
Lajçaku theksoi se tashmë është e nevojshme të mundësohet vazhdimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve këtë vit.
“Nëse këto vendime themelore nuk merren deri në fund të afatit (që është fundi i vitit, sipas tij – shën.red.), kam frikë se kalendari politik në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara do të jetë i tillë që do ta shtyjnë këtë agjendë në plan të dytë”.
“Jam i bindur se Marrëveshja e Ohrit është dokumenti më i mirë. Të dyja palët e kanë përqafuar, por do të ishte turp nëse do të përfundonte në ‘pluhur’. Në atë rast na presin konflikte të reja, përshkallëzimi i tensioneve dhe mundësisht edhe më shumë dhunë në veri të Kosovës”, ka përfunduar ai. /Klankosova.tv.
Ekstradohen nga Italia dhe Gjermania në Kosovë, një grua dhe...
Franca thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet në Izrael, K...
Rizvanolli kërkon rritje të masave të sigurisë, pas vdekjes ...
“Na ke bërë krenarë”, Hygerta surprizohet nga nëna për final...
Begaj: Nuk është e drejtë që Kosova ka mbetur larg proceseve...
Porti i ri tregtar në Porto Romano, SPAK sekuestron dosjen e...