Gjykata Kushtetuese e ka refuzuar si të papranueshme kërkesën e Naim Smajlit, i dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e djalit të tij, E.S për çështje pronësore.
Smajli kishte bërë ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Supreme, e cila kishte lënë në fuqi dënimin prej 25 vjet burgim ndaj tij. Ai ka pretenduar se i janë shkelur të drejtat themelore të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë të drejtën për barazi para ligjit dhe për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sa i përket aspektit kronologjik, Sipas dosjes së rastit, Naim Smajli dyshohej se më 13 qershor 2022, në fshatin Bajçinë të Podujevës, për shkak të një mosmarrëveshjeje pronësore, kishte vrarë djalin e tij, E.S. Për këtë rast, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe për armëmbajtje pa leje.
Më 29 mars 2024, Gjykata Themelore e Prishtinës e shpalli fajtor dhe e dënoi me 25 vjet burgim. Gjykata konstatoi se Smajli kishte vepruar me dashje. Veç kësaj, sipas Kushtetueses, Themelorja e kishte nxjerrë aktgjykimin e saj duke u mbështetur në deklaratat e dëshmitarëve, ekspertizat forenzike, raportin e autopsisë, ekzaminimet e ADN-së dhe deklaratat e vet të akuzuarit. Si rrethana rënduese, thuhet se ishte marrë parasysh konflikti i vazhdueshëm me viktimën, përgatitja për kryerjen e veprës dhe rrezikshmëria e lartë shoqërore, ndërsa si rrethana lehtësuese mosha dhe sjellja korrekte gjatë gjykimit.
Pas kësaj, më 29 prill 2024, Smajli ishte ankuar në Gjykatën e Apelit me pretendimet për shkelje procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe shqiptim të padrejtë të dënimit. Ndërsa, në të njëjtën kohë, Prokuroria kërkoi dënim më të ashpër, përkatësisht burgim të përjetshëm.
Kushtetuesja, në vendimin e saj sqaron se më 28 qershor 2024, Gjykata e Apelit i refuzoi të dyja ankesat dhe la në fuqi dënimin prej 25 vitesh burgim. Këtë rast e kishte monitoruar edhe “Betimi për Drejtësi”.
Më 27 gusht 2024, Smajli kishte paraqitur më pas kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme, e cila e kishte refuzuar si të pabazuar, duke vlerësuar se vendimet e gjykatave më të ulëta ishin të qarta, të ligjshme dhe të mbështetura në prova të mjaftueshme. Por, Supremja në vendimin e 10 tetorit 2024, kishte konstatuar se ekspertizat psikiatrike nuk kishin gjetur probleme të aftësisë mendore te i dënuari dhe se deklarata e tij në Polici ishte marrë në mënyrë të ligjshme, në prani të avokatit.
Ndërsa në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se thelbi i ankesës së Naim Smajlit kishte të bënte me pretendimin për shkelje të parimit të “barazisë së armëve”, pra mungesën e trajtimit të barabartë ndërmjet mbrojtjes dhe Prokurorisë gjatë procedurës gjyqësore. Sipas Smajlit, gjykatat kishin refuzuar kërkesën për dëgjimin e disa dëshmitarëve në favor të tij dhe kërkesën për një super-ekspertizë psikiatrike, ndërkohë që ekspertiza fillestare ishte realizuar me kërkesë të Prokurorisë.
Gjykata Kushtetuese rikujtoi praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas së cilës, parimi i “barazisë së armëve” është pjesë thelbësore e së drejtës për gjykim të drejtë dhe kërkon që secila palë të ketë mundësi të barabarta për të paraqitur argumentet dhe provat e saj.
Megjithatë, Kushtetuesja konstatoi se gjykatat e rregullta kishin dhënë arsye të mjaftueshme për refuzimin e kërkesave të mbrojtjes. Sipas vendimeve të tyre, ekspertiza psikiatrike e realizuar nga ekspertë kompetentë, kishte përfunduar se i akuzuari nuk kishte çrregullime mendore dhe nuk kishte vepruar në gjendje tronditjeje të fortë mendore. Po ashtu, ekspertët kishin sqaruar gjetjet e tyre edhe gjatë seancave gjyqësore, prandaj nuk ishte parë e nevojshme një ekspertizë e re.
Sa i përket dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja, gjykatat vlerësuan se ata nuk ishin dëshmitarë okularë të ngjarjes dhe se gjendja faktike ishte vërtetuar mjaftueshëm përmes provave materiale, deklaratave të dëshmitarëve ekzistues dhe deklaratës së vet të akuzuarit.
Në fund, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se pretendimet për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe barazi të armëve ishin “qartazi të pabazuara” dhe e shpalli kërkesën të papranueshme. Ajo po ashtu vlerësoi se pretendimet tjera për shkelje të dispozitave kushtetuese dhe instrumenteve ndërkombëtare nuk ishin argumentuar në mënyrë të mjaftueshme.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 22 dhjetor 2022, Naim Smajli rreth orës 17:00 në fshatin Bajçinë, Komuna e Podujevës për shkak të mosmarrëveshjeve pronësore, me dashje e ka privuar nga jeta djalin e tij tani të ndjerin E.S.
I akuzuari Smajli, sipas aktakuzës, në një distancë të afërt ka shtënë në drejtim të djalit të tij tani të ndjerit E.S.
Me këto veprime, Smajli akuzohej nga Prokuroria për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Naim Smajli nga data e pacaktuar e deri më 13 qershor 2022, ka mbajtur në e armën e llojit “pushkë automatike” në kundërshtim me ligjin, një mjet shpërthyes, granatë dore dhe me posedimin e tyre i akuzuari Smajli ngarkohej se ka kryer edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 i KPRK-së.
5 shtete të BE-së propozojnë model të ri integrimi për Ballk...
Haxhiu takohet me ambasadorin Guerot – diskutohet rëndësia e...
McGurk: Zgjedhjet transparente varen nga institucione të for...
I nominuari për ambasador në Shqipëri: Luftimi i krimit forc...
Mbi 20 anije kaluan Ngushticën e Hormuzit gjatë 24 orëve të ...
Hamza prezanton sloganin e fushatës së PDK-së: Stop Krizës. ...