Kurti: Xhudoja është suksesi më i madh që e kemi ndërtuar dhe treguar si shtet në sport

15:00 | 30 Maj 2026
E.K

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar sukseset e xhudos kosovare, duke thënë se Kosova njihet ndërkombëtarisht si “shteti i xhudos”, falë rezultateve të jashtëzakonshme të kampionëve të saj.

Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Kurti tha se xhudoja përfaqëson suksesin më të madh sportiv që Kosova ka ndërtuar dhe prezantuar si shtet.

Ai theksoi se investimet e Qeverisë janë përgjigje ndaj rezultateve që ky sport i ka sjellë vendit, duke kujtuar se në muajin mars ka nisur projekti për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, me vlerë mbi 5.7 milionë euro.