Kurti premton investime për rininë dhe turizmin në Pejë

18:04 | 23 Maj 2026
E.K

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me të rinjtë në Pejë, ku ka prezantuar prioritetet e qeverisë për zhvillimin e qytetit dhe mbështetjen për rininë.

Kurti tha se qeveria e re do të angazhohet në krijimin e mundësive për të rinjtë, rritjen e punësimit dhe ndërtimin e një mjedisi ku, sipas tij, talenti dhe ëndrrat e të rinjve mund të zhvillohen në Kosovë.

“Për rininë e Pejës, qeveria e re do të jetë aktive në krijimin e mundësive, punësimit dhe një mjedisi ku talenti zhvillohet, ëndrrat marrin drejtim dhe e ardhmja ndërtohet këtu. Qeveria e re po ashtu do të fokusohet në zhvillimin e infrastrukturës turistike në Pejë. Do ta realizojmë krijimin e Qendrës Rajonale të Turizmit “Dukagjini”, do ta bëjmë renovimin e tërësishëm të Pallatit të Sporteve “Karagaçi”, si dhe do ta fillojmë ndërtimin e Stadiumit të Qytetit e rindërtimin e rrugës Pejë–Kuçishtë–Çakorr”, tha Kurti./Arbresh.info