Kurti për ditën e gruas: Prej punëve të shtëpisë e deri te përgjegjësitë institucionale, ta bëjmë Kosovën më të barabartë

16:02 | 8 Mars 2021

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka marshuar sot me shumë qytetarë të tjerë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Pas kësaj, Kurti tha se sot është dita e të gjitha grave, e që shënon përpjekjet që ende vazhdojnë, por edhe sukseset që gratë i kanë arritur historikisht.

Albin Kurti tha se sot e çdo ditë duhet njohur kontributin e grave që nuk janë më dhe të luftojmë bashkë me gratë për më shumë të drejta, shkruan Arbresh.info.

Tutje ai tha se qeveria që ai do të drejtojë do të jetë e përkushtuar ndaj politikave demokratike e sociale që e lehtësojnë dhe e përkrahin jetën dhe përvojat e grave.

Ky është postimi i plotë: 

8 Marsi është dita ndërkombëtare e gruas. E të gjitha grave. Shënon përpjekjet që ende vazhdojnë por edhe sukseset që gratë i kanë arritur historikisht.

Sot e çdo ditë duhet ta njohim kontributin e grave që nuk janë më dhe të luftojmë bashkë me gratë për më shumë të drejta. Barra shumë të mëdha u janë lënë grave. Ato jo vetëm e kanë emancipuar veten por tash prej tyre pritet edhe emancipimi i shoqërisë. Duhet ta bëjmë këtë bashkarisht dhe të ndajmë çdo përgjegjësi.

Qeverisja jonë do të jetë e përkushtuar ndaj politikave demokratike e sociale që e lehtësojnë dhe e përkrahin jetën dhe përvojat e grave. Qofshin gra punëtore, të papuna, gra rome, të varfra, në kohën kur lindin, apo kur nuk duan të lindin, kur kërkojnë punë apo kur diskriminohen në punë. Prej punëve të shtëpisë e deri te përgjegjësitë institucionale, le ta bëjmë Kosovën më të barabartë. Që kurrë më të mos vriten, shtypen a shfrytëzohen gratë. E, që beteja për barazi shoqërore ta nënkuptojë edhe atë për barazi gjinore.

Urime 8 Marsi, nga marshi paqësor në Prishtinë ku morëm pjesë në solidaritet./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara