Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ngjarje kjo në edicionin e saj të dytë, ku mbajti fjalën hyrëse në sesionin “Si të rrisim rolin e grave në proceset e paqes?”.
Kurti theksoi rëndësinë e të qenurit bashkë, për kauzën për drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, në Kosovë e çdokund, përcjell Arbresh.info.
“Ne jemi pranë të mbijetuarave, gjithmonë, edhe dje edhe sot. Duke e paguar një çmim shumë të lartë për lirinë, ato bëhen kujdestaret më të mira të lirisë, andaj edhe punojnë për paqen. E sjellin më shpejt atë, e përfshirja dhe pjesëmarrja e tyre siguron paqen. Paqen që qëndron e që shëron. Ato që para një çerek shekulli ishin subjekt i luftës çnjerëzore të projektit gjenocidal të Serbisë, sot janë heroinat tona. Heroina të zëshme e të heshtura. Ndonëse mund të mos ua dijmë emrat, të gjithave ua njohim forcën dhe qëndresën”, u shpreh kryeministri.
Ai nënvizoi rëndësinë e reflektimit, nevojës për paqe, fuqizimin e grave dhe gjithëpërfshirjen.
“Veprimet tona duhet të flasin më fort se fjalët që themi. Ne po zbatojmë ligje që garantojnë barazi në të drejta, po zbatojmë politika e po ndajmë fonde që garantojnë barazi në mundësi. Gjatë këtij mandati, janë zbatuar një sërë reformash për avancimin e grave në shoqëri”, shtoi ai.
Kurti përmendi punësimin e mbi 12 mijë grave me mbështetjen e drejtpërdrejtë të shtetit, masën e mbështetjes për gratë dhe kryefamiljaret edhe përmes skemës “Qeveria për Familjet”, lansimi i masës së punësimit për gratë që janë viktima të dhunës, skemat e shtesave për fëmijë e nënat e reja, ku edhe 90 mijë gra për herë të parë kanë hapur llogari bankare në emrin e tyre, por edhe bursat në programet e STEM, shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë, ku kanë përfituar rreth 3,000 studente gra e vajza.
Duke shprehur se pavarësia ekonomike e grave është hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të lirisë individuale dhe paqes sociale, kryeministri Kurti veçoi dhe rëndësinë në qasje dhe mundësi për të gjitha vajzat në arsim, duke theksuar se arsimimi i tyre është garantues i progresit mbarëshoqëror.
Në vijim, kryeministri kujtoi rezolutën e miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2021 mbi dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, dhe 25-vjetorin e shumë masakrave në vendin tonë nga Serbia, kryeministri shtoi se “Më 27 prill, Kosova e shënon edhe Ditën e të zhdukurve, në nderim të viktimave të masakrës së Mejës dhe gjithë personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës në Kosovë, e që vazhdojnë të jenë të pagjetur. Kujtojmë forcën e grave që qëndrojnë, në Mejë, në Krushë, e kudo. Nuk i harrojmë “Thirrjet e nënave” të Kosovës, e as nënat e Srebrenicës”.
“Jemi mirënjohës për kontributin e grave ndër breza, vigjilencën e tyre ndaj pabarazisë dhe solidaritetin ndaj njëra-tjetrës që janë ende edhe sot frymëzuese për të gjitha gratë, për mbarë popullin tonë, e secilin qytetar të Republikës. U jemi falënderues për punën vetëmohuese, për angazhimin e dyfishtë që secila prej jush e bën. Jemi krah për krah e këmbëngulës në rrugën e lirisë, drejtësisë dhe barazisë, të cilat janë ideale tona të përbashkëta”, përmbylli fjalimin Kurti.
Pas fjalës hyrëse të kryeministrit, biseda vijoi me panelin e diskutimit ku ishin pjesëmarrës ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ish zëvendëskryeministrja dhe kryenegociatorja në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, ish ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, profesori dhe analisti i politikës së jashtme, Edward Joseph, studiuesi dhe autori Jasmin Mujanovic, me moderimin e ekspertes Jeta Krasniqi./Arbresh.info
Neymar operohet me sukses, synimi i tij i vetëm është pjesëm...
Aksident me vdekje në Tepelenë-Memaliaj, humb jetën 45-vjeça...
Durmishi: Rrugët në brezin kufitar po rrisin sigurinë dhe zh...
Salah vendimtar, Egjipti fiton me rikthim ndaj Zimbabwes në ...
“Jemi takuar në një kafene”, Edi flet për njohje...
Festimet me fishekzjarre për zgjedhjet lokale shkaktojnë 18 ...