Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë, foli për sakrificën e dëshmorëve dhe të gjithë atyre që kontribuan për lirinë që gëzon sot vendi.
Ai tha se 17 shkurti, 18 vjet më parë, u bë një nga datat më të rëndësishme në historinë e Kosovës, duke iu shtuar kalendarit kombëtar si një festë e madhe, e paraprirë nga shumë ngjarje dhe sakrifica historike.
“Republika në radhë të parë është institucion i lirisë, shprehje e sovranitetit, mjet për zhvillim, prandaj kur vjen fjala tek republika dhe sovraniteti, ne nuk mund të lëshojmë pe sepse nuk bëjmë dot kompromis me lirinë dhe zhvillimin. Ne i kujtojmë përfytyrimet dhe vizionet e parealizuara të aktivistëve dhe të luftëtarëve që e kanë dëshiruar republikën, sepse pa sakrificën e tyre nuk do ta kishim shtetin tonë”, tha Kurti.
Ai shtoi se i gjithë vendi përkulet me nderim para dëshmorëve dhe se institucionet kanë përgjegjësi ta lartësojnë Republikën e Kosovës edhe në emër të tyre.
Në fjalimin e tij, Kurti foli me tone të forta edhe për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, duke thënë se ata po përballen me padrejtësi, pavarësisht rolit të tyre në luftën për liri.
“Akuzat e Prokurorisë Speciale në Hagë për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë, ato nuk marrin parasysh kontekstin historik dhe politik të luftës tonë çlirimtare, së cilës ia detyrojmë lirinë e sotme. Krime kundër popullatës civile shqiptare ka kryer Serbia e Millosheviqit. Kërcënime për përsëritjen e tyre është sot Serbia e Vuçiqit”, tha Kurti.
Ai theksoi se, sipas tij, është e papranueshme që të barazohen drejtuesit e UÇK-së me një regjim që ai e cilësoi gjenocidal, duke shtuar se pa sakrificën dhe luftën e tyre, Kosova nuk do ta gëzonte lirinë e sotme.
Kurti foli gjithashtu për rëndësinë e demokracisë dhe sovranitetit, duke thënë se Kushtetuta e Kosovës garanton barazi për të gjitha komunitetet që jetojnë në vend. Ai shtoi se edhe zgjedhjet e fundit demokratike dëshmuan vlerën e demokracisë funksionale dhe pjesëmarrjen e barabartë të qytetarëve në jetën institucionale.
Kuvendi pre e një sulmi kibernetik, izolohet rrjeti pas fshi...
Costa: BE duhet të përgatitet për zgjerimin e ardhshëm
Lufta në Iran, Pentagoni: Rreth 140 ushtarë amerikanë të pla...
‘Krabeni’ e ‘Makazze’ me ekipet e tyre sigurojnë play-offin ...
Kusari: Nuk ka krizë me derivate në Kosovë, furnizimi stabil...
MMPH nis procesin për heqjen e pengesave në lumenjtë e Kosov...