Kosova jashtë INTERPOL-it, ekspertët kërkojnë mobilizim diplomatik

10:00 | 29 Qershor 2025
E.H

Pavarësisht se Kosova ka ndërtuar një sistem funksional të ligjit dhe ka përmbushur kriteret për anëtarësim, ajo vazhdon të mbetet jashtë Organizatës Ndërkombëtare të Policisë – INTERPOL.

Ish-zyrtarë të institucioneve vendore dhe ekspertë të sigurisë vlerësojnë se arsyet për këtë janë politike, raporton Arbresh.info.

Sipas tyre, mosnjohja e pavarësisë nga një numër shtetesh anëtare të INTERPOL-it, fushata diplomatike e Serbisë dhe “politizimi” i votimit në Asamblenë e Përgjithshme, po pengojnë integrimin e Kosovës në këtë organizatë kaq të rëndësishme.

Ish-zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, për Arbresh.info thotë se Kosova është pa të drejtë jashtë këtij mekanizmi policor duke shtuar se arsyet janë politike.

“Për arsye kryesisht politike, si mosnjohja nga disa shtete anëtare të INTERPOL-it, të cilat e kundërshtojnë anëtarësimin për arsye politike, presioni diplomatik nga Federata Ruse dhe Serbia dhe aleatët e saj te vendet që nuk e njohin Kosovën, si dhe rregullat e INTERPOL-it për anëtarësim (2/3 e votave të vendeve anëtare në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it), e kanë lënë Kosovën pa të drejtë jashtë këtij mekanizmi policor të shkëmbimit të informacionit.”, thotë ai.

Për njohësin e fushës së sigurisë, Drizan Shala arsyet për mos anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL nuk janë vetëm politike, por edhe teknike, përfshirë kapacitetet e pamjaftueshme të integrimit të sistemeve të informacionit si dhe standardizimi i legjislacionit penal dhe procedurave.

Ai, thekson se që një shtet të jetë pjesë e INTERPOL-it, duhet të ketë kornizë ligjore të harmonizuar me standardet ndërkombëtare.

Sipas tij, Kosova është përmirësuar në këtë aspekt, por ende përballet me mungesë të zbatueshmërisë efektive dhe bashkëpunim të brendshëm ndërinstitucional.

Shala thekson se mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL ka ndikim të drejtpërdrejtë në përkeqësimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

“Kosova nuk ka qasje të drejtpërdrejtë në bazat e të dhënave të INTERPOL për individë të kërkuar ndërkombëtarisht, për rrjete trafiku, apo për sinjalizime të kuqe (red notices). Ky hendek rrit rrezikun që persona me rekorde kriminale ose të përfshirë në terrorizëm të shfrytëzojnë territorin e Kosovës si strehë tranzitore”, shprehet ai.

Tutje, ai thotë se mos anëtarësimi e bën të pamundur pjesëmarrjen e Policisë së Kosovës në operacione të përbashkëta ndërkombëtare, si dhe në përdorimin efektiv të instrumenteve të ndalimit ose ekstradimit në kuadër të INTERPOL.

Sipas tij, krimi i organizuar transnacional në Ballkan përfiton nga mungesa e bashkëpunimit të Kosovës me INTERPOL, duke e përdorur si pikë të dobët në korridoret e trafikimit të drogës, armëve, qenieve njerëzore dhe financimit të terrorizmit.

Por si duhet vepruar për që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL?

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, vlerëson se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL nuk varet vetëm nga kapacitetet teknike, por kërkon edhe një qasje të fuqishme diplomatike në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

“Për t’u anëtarësuar në INTERPOL, Kosova duhet t’i vazhdojë përpjekjet që, krahas forcimit të kapaciteteve teknike, të jetë aktive me diplomaci, duke mbajtur në krah partnerët ndërkombëtarë dhe së bashku me ta të bindin edhe shtetet mosnjohjes se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL ka rëndësi jetike për sigurinë rajonale dhe më gjerë, dhe se nuk kufizohet vetëm në sigurinë e brendshme, natyrisht duke qenë këmbëngulëse dhe argumentuese në arritjen e rezultateve konkrete.”, thotë Hoxha për Arbresh.info.

Ndërkaq, Shala thotë se për të siguruar mbështetje për anëtarësim në INTERPOL, Kosova duhet të intensifikojë njohjet diplomatike dhe të ndërtojë aleanca me vende kyçe që tradicionalisht abstenojnë ose votojnë kundër.

Gjithashtu, Shala thekson se Kosova duhet të dëshmojë kapacitetin e saj për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale duke krijuar marrëveshje bilaterale për shkëmbim informacioni me shtetet anëtare të INTERPOL-it.

Lidhur me anëtarësimin e Kosovës, nga INTERPOL për Arbresh.info kanë thënë që për çështjet e anëtarësimit, të pyeten autoritetet e Kosovës.

Arbresh.info ka dërguar pyetje edhe te Ministria e Punëve të Brendshme, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.

Ndryshe, INTERPOL ka 192 vende anëtare. Për anëtarësim, Kosovës i duhen dy të tretat e votave. Kërkesën e parë për anëtarësim, Kosova e paraqiti më 2010. Kurse së dyti, më 2015. Asnjëherë nuk arriti të përfshihet në rend të ditës. Më 2017, Kosova hoqi dorë nga kërkesa pasi që nuk arriti t’ sigurojë votat e mjaftueshme “për”./Arbresh.info/Erolinda Gashi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme