Google ADS

Konjufca pritet nga homologu i tij në RMV, flasin për të ardhmen e rajonit

22:53 | 19 Qershor 2024
E.G

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është pritur nga homologu i tij në Maqedoninë e Veriut, Afrim Gashi.

Konjufca bëri të ditur se kjo pritje ndodhi në darkën zyrtare në kuadër të seancës së 11-të plenare të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore dhe sipas tij kjo ishte mundësi shumë e mirë që të diskutohet për të ardhmen sa më të mirë të rajonit.

“Vizioni i zhvillimit ekonomik, i bashkëshoqëruar nga stabiliteti e siguria, nën parimet e palëkundura të demokracisë, bashkëpunimit, respektit dhe barazisë, si dhe qëllimeve të përbashkëta, janë formulimi që e sjell Republikën e Kosovës, si dhe vende të tjera të rajonit, në këtë organizim të rëndësishëm që i përgjigjet Strategjisë së Evropës Juglindore 2030, si dhe udhëzimeve të saj strategjike për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në rajon dhe progres në të mirë qytetarëve tanë”, shkroi Konjufca në Facebook.

Ai njoftoi se Kosova pret që SEECP të kontribuojë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian, si dhe, sipas tij, të ndihmojë në rritjen e sigurisë në tërë rajonin, njofton Klankosova.tv.

“Në këtë mundësi që na e ofroi SEECP dhe Kryetari Gashi si pritës, pata rastin që përgjatë bisedave të parashtroj kontributin dhe perspektivën e Republikës së Kosovës përbrenda këtij vizioni të përbashkët. Gjithashtu, do të kemi përsëri mundësinë që këto pikëpamje t’i paraqesim përgjatë seancës plenare të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore”.

“Kosova pret që SEECP të kontribuojë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian, të ndihmojë në rritjen e sigurisë në tërë rajonin, përfshirë Kosovën dhe të dënojë ashpër sjelljet që rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe rrugëtimin evropian të Kosovës dhe rajonit. Gjithashtu, pret që ky forum të mbështesë fuqishëm ambiciet integruese të rajonit dhe të kërkojë nga institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare të mundësojnë për Kosovën statusin e kandidatit në BE dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndër to edhe në Këshillin e Evropës”, ka shkruar mes të tjerash ai./Arbresh.info/

Të ngjashme