Konjufca: Kemi miratuar ligje të rëndësishme që synojnë t’i mbrojnë të drejtat e grave dhe sigurinë e tyre

20:59 | 9 Dhjetor 2024
E.H

Kuvendi i Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, mbajti sot konferencën me temën “Roli i legjislativit në adresimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore”, organizuar në kuadër të fushatës 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës në Familje, Kundër Dhunës Ndaj Grave dhe Kundër Dhunës me Bazë Gjinore.

Në cilësinë e nikoqirit të konferencës kryetari Glauk Konjufca shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për çdo grua të angazhuar në sferën publike, që siç tha ai, çdo ditë kontribuon për t’i mbrojtur dhe promovuar të drejtat e grave në Republikën e Kosovës, transmeton Arbresh.info

Konjufca tha se dhuna në bazë gjinore mbetet sfidë e madhe për shoqërinë dhe që përkundër përpjekjeve për ta luftuar atë, nuk po reflekton në rënien e rasteve të dhunës në familje dhe në veçanti në dhunën ndaj grave e vajzave.

“Jemi dëshmitarë që rastet e dhunës ndaj grave në vitet e fundit janë rritur, ashtu siç është rritur ndjeshëm edhe raportimi i rasteve të tilla nëpër institucionet e sigurisë e të ligjit. Kjo tregon se sa e rëndësishme është që çdo grua dhe vajzë e cila përjeton dhunë të çfarëdo forme, ta denoncojë atë dhe të kërkojë ndihmën e institucioneve”, tha Konjufca.

Konjufca tha se Kuvendi padyshim që e ka një rol kyç për adresimin e këtij fenomeni, duke përmendur miratimin e shumë ligjeve të rëndësishme që mbrojnë gratë nga dhuna me bazë gjinore.

“Gjatë kësaj legjislature ne kemi miratuar edhe ligje shumë të rëndësishme që synojnë t’i mbrojnë të drejtat e grave dhe sigurinë e tyre, përfshirë këtu edhe nismën ligjore të Kuvendit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore, e cila vendos në fokus të veçantë trajtimin ndërinstitucional për të siguruar mbështetje gjithëpërfshirëse për viktimat”, theksoi kreu i Kuvendit, duke shtuar se krahas rolit ligjvënës, Kuvendi do të vazhdojë të ushtrojë edhe funksionin e vet mbikëqyrës sa i përket punës së institucioneve qeveritare në këtë drejtim.

Kryetari Konjufca përmendi gjithashtu edhe nënshkrimin nga ana e deputetëve të Deklaratës kundër dhunës ndaj grave në politikë, nën inicimin e Grupit të Grave Deputete.

“I bashkohem thirrjes për mbështetje të të gjitha grave dhe vajzave në betejën e përçdoditshme kundër çdo forme të dhunës dhe angazhohem për një përkushtim të plotë institucional në këtë luftë të përbashkët kundër dhunës ndaj grave, si dhe krijimin e një mjedisi shoqëror pa dhunë dhe pa diskriminim gjinor”, tha në fjalën e tij Konjufca./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme