Mourinho tani do t’i kushtojë 15 milionë euro

22:48 | 25 Maj 2026
D.H

Situata rreth José Mourinhos po bëhet gjithnjë e më e tensionuar në Portugali, ndërsa e ardhmja e trajnerit portugez vazhdon të mbetet e paqartë.

Sipas mediave portugeze, Mourinho vazhdon të jetë zyrtarisht trajner i Benficas, por largimi i tij nga klubi konsiderohet pothuajse i sigurt. Problemi kryesor mbetet klauzola e largimit dhe situata e ndërlikuar mes Benficas dhe Real Madridit.

Raportohet se klauzola që i lejonte Mourinhos të largohej për 7 milionë euro skadon më 26 maj. Pas këtij afati, çmimi i largimit të tij rritet në 15 milionë euro, shumë që lidhet me pagën bruto të trajnerit dhe që potencialisht do të duhej ta paguante Real Madridi.

Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që dy klubet të negociojnë për uljen e kësaj shume.

Pavarësisht tensionit të madh në Portugali, Mourinho raportohet se është i qetë dhe beson se ka gjasa të mëdha për t’u bërë trajner i Real Madridit.

Në anën tjetër, Benfica ndodhet nën presion të madh, pasi klubi ende nuk mund të planifikojë plotësisht sezonin e ri derisa të sqarohet situata e trajnerit.

Situata u komplikua edhe më shumë pasi Benfica do të duhet të luajë fazën paraprake të Europa League më 23 korrik, çka do të thotë se përgatitjet për sezonin e ri duhet të nisin shumë më herët.

Kjo ka rritur presionin mbi drejtuesit e klubit, të cilët po presin lëvizjen e radhës nga Real Madridi.

Ndërkohë, Benfica thuhet se ka zgjedhur Marco Silvan si pasues të mundshëm të Mourinhos.

Trajneri portugez aktualisht është pjesë e Fulhamit dhe kontrata e tij skadon më 30 qershor, por edhe situata e tij po ndikohet nga pritja për vendimin final të Mourinhos.

Zgjedhjet te Real Madridi po vonojnë gjithçka

Sipas raportimeve, një nga arsyet kryesore pse situata ende nuk është zgjidhur lidhet me zgjedhjet presidenciale te Real Madridi.

Presidenti Florentino Pérez pritet të marrë vendime të rëndësishme vetëm pas përfundimit të procesit zgjedhor, ndërsa kjo po mban pezull jo vetëm të ardhmen e Mourinhos, por edhe projektet sportive të Benficas.

Në Portugali tashmë presioni po rritet nga dita në ditë, ndërsa orët e ardhshme konsiderohen vendimtare për të ardhmen e trajnerit portugez./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale