Komandanti i KFOR-it: Prishtina vendosi të shmangte vizitën e Vuçiqit në Drenicë

10:50 | 10 Shtator 2018

Komandanti i KFOR-it, Salvatore Cuoci, ka thënë se KFOR ishte i gatshëm që të intervenonte gjatë vizitës së presidentit të Serbisë në Kosovë, Aleksandar Vuçiq.

Kështu shkruajnë mediat serbe, sipas të cilave, ai ka thënë se kanë qenë institucionet e Kosovës ato që kanë vendosur të shmangin vizitën e Vuçiqit në fshatin Banjë të Drenicës.

Siç thuhet të ketë shpjeguar ai, përcjell Telegrafi, në Kosovë, në zinxhirin e komandës, KFOR është në vendin e tretë.

“Së pari policia, pastaj EULEX dhe pastaj ne. Ne ishim të gatshëm për të ndërhyrë në të gjitha fushat në të cilat ishte presidenti në mënyrë që të ketë një mjedis të sigurt. Gjithçka ishte në rregull, përveç në fshatin Banjë”, ka thënë Cuoci.

Gjëja më e rëndësishme është, thotë komandanti i KFOR-it, se askush nuk ishte në rrezik.

E njëjta gjë do të bëhej, thotë ai, edhe për çdo president tjetër që do të vizitonte Kosovën.

“Para së gjithash, është për të siguruar sigurinë e atij që vjen për të vizituar. Çështja kryesore është siguria e Presidentit, dhe në qoftë se kjo nuk është e mundur duhet të shmangim këtë vizitë. Kështu që unë mendoj se kjo ishte diçka e mençur për të shmangur këtë vizitë, për të shmangur një situatë të ndryshme”, ka vlerësuar ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara