Koha e provimeve| Studentët duan ndryshimin e masave për shfrytëzimin e sallave të leximit në biblioteka

08:19 | 25 Shtator 2021

Që nga fillimi i pandemisë nga marsi i vitit 2020, bibliotekat komunale të Kosovës janë mbyllur e rihapur sipas vendimeve të Qeverive në raport me situatën epidemiologjike.

Gjatë periudhës kur bibliotekave u lejohet të shfrytëzojnë vetëm 30% të sallës, ka paraqitur problem tek studentët, të cilët tash në muajin tetor do fillojnë procesin e mbajtjes së provimeve, dhe detyrohen t’i frekuentojnë më shpesh sallat e leximit.

Kryetari i Organizatës studentore Reforma, Oktaj Hasani deklaron për arbresh.info se kanë pranuar një numër të madh të kërkesave nga studentët, fillimisht për hapjen e bibliotekave, e më pas që të zgjerohet kapaciteti i sallës mirëpo që këto kërkesa nuk janë dërguar nga ana e parlamentit në kuadër të MASHT-it.

“Realisht para datës 12 kur u morën masat e qeverisë ke një vendim që bibliotekat të mbyllen komplet në kuadër të asaj kemi pas kërkesa që me u hapë prapë bibliotekat. Mandej qeveria kur i publikoi masat e tjera vendosi t’i hapë 30% të kapacitetit të bibliotekës. Gjatë kësaj periudhe ka pas kërkesa që kapaciteti i bibliotekave të zgjerohet mirëpo që këto kërkesa fatkeqësisht nuk janë dërguar nga ana e parlamentit në kuadër të MASHT-it dhe sherri kësaj hala qëndron ai vendimi me 30% të kapacitetit”, thotë ai.

Hasani pret që ky vendim i Qeverisë së Kosovës të ndryshojë sepse veçse janë shtuar kërkesat për të punuar me 100% të kapacitetit të sallës.

“Ne kemi pranuar një numër të madh të kërkesave. Kemi ba kërkesa në këto fakultete që i udhëheqim me punu me kapacitet të plotë mirëpo për shkak të vendimit të Qeverisë kjo ka qenë e pamundur përkundër një dëshire të madhe që bibliotekat të punojnë me 100 përqind të kapacitetit të sallës”, shprehet Hasani.

E një gjë të tillë nuk e thotë edhe organizata tjetër studentore Unioni Demokratik Studentor.

Kryetari i kësaj organizate studentore, Arbër Gecaj, thotë për arbresh.info se ende nuk ka kërkesa, meqë studentët ende nuk janë vendosur.

“Nga kontaktet që ne kemi me studentët në të gjitha njësitë akademike mund të themi që për momentin meqë shumica e studentëve nuk janë vendosur ende ne Prishtine, deri në fillimin e vitit të ri akademik, nuk kemi ankesa te theksuara”, thotë Gecaj.

Por që me fillimin e vitit të ri akademik, pritet të ketë kërkesa edhe nga ana e tyre.

“Me fillimin e vitit të ri akademik, kur studentët nga të gjitha qytetet e Kosovës vijnë në Prishtinë atëherë sigurisht që kërkesa për hapësirë më të madhe në biblioteka do të rritet, pasi që kapacitetet aktuale nuk do të mjaftojnë për t’i plotësuar kërkesat e studentëve”, thotë Gecaj nga Unioni Demokratik Studentor për arbresh.info.

Ndërkaq nga biblioteka “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë thonë se fatmirësisht sallat e leximit i kanë të mëdha dhe u mundësohet menaxhimi i saj sipas masave të caktuara.

“Fatmirësisht, ne i kemi sallat e mëdha. Unë 30 përqindshin e kam kuptu jo si hapësirë të objektit por e sallave, çka do të thotë se përafërsisht mund të ulen deri në dy kate kah 30 persona, e kati i parë më pak. Studentët janë mjafte të disiplinuar në kuptimin e këtyre rregullave të gjithë i tregojnë letrat që i kanë marrë vaksinat dhe distancën e kemi përcaktu se kemi vendosë karrige dhe tavolina në hapësirat e nevojshme, me u respektu masat”, thonë për arbresh.info nga kjo bibliotekë.

Tutje, ata janë detyruar të shtrojnë kërkesën për vazhdimin e orarit të punës së bibliotekës si rezultat i kërkesave të shumta të studentëve.

“Ne punojmë me një far orari nga 12:00 në 16:00, e dje e sot e kemi shtru kërkesën me e kthy ne normalitet orarin. Kështu që nga nesër do të vazhdojmë deri në ora 19:00 në mbrëmje.”

Ndryshe, arbresh.info është munduar të kontaktojë edhe me Ministrinë e Arsimit por që të njëjtët nuk kanë kthyer përgjigje.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit të tyre kanë miratuar masat e përgjithshme dhe të veçanta për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Bibliotekat lejohen të shfrytëzojnë vetëm me 30 për qind të kapaciteteve të hapësirave. Këto masa vlejnë deri më 26 shtator, kur pritet edhe rishikimi i tyre./Pranvera Beqa /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara