Kryesuesi i bordit drejtues në Agjencinë kosovare të Privatizimit Petrit Gashi, ka reaguar pas shkarkimit nga pozita të drejtorit aktual menaxhues i Agjencisë Ekrem Hajdari, ku me ç’rast ka ofruar edhe dorëheqjen e tij nga pozita e kryesuesit.
Sipas Gashit, shkarkimi i Hajdarit konsiderohet si veprim me pasoja për Agjencinë dhe e kundërshton arsyetimin e performansës së dobët.
Po ashtu është thënë se Petrit Gashi ka qenë ai i vetmi nga anëtarët e bordit që nuk e ka votuar shkarkimin e Ekrem Hajdarit nga pozita e drejtorit të AKP-së.
Kuvendi i Kosovës, në dhjetorin e vitit 2015 kishte kompletuar bordin Agjencisë Kosovare të Privatizimit duke zgjedhur anëtarët e propozuar nga Qeveria e Kosovës.
Kryetar i Bordit të AKP-së, është zgjedhur Petrit Gashi, anëtarë Hasime Mazreku, Hamdi Jaha, Seknder Komoni, Ismajl Januzi, Haxhi Arifi, Ranko Gjokiq, Bajram Zejnullahu.
Ndryshe Petrit Gashi është profesor në Fakultetin Ekonomik.
Reagimi i plotë i Gashit:
Të nderuara medie,
Sikur jeni të informuar, në mbledhjen e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit të datës 26.10.2018 është shkarkuar nga pozita drejtori aktual menaxhues i Agjencisë z. Ekrem Hajdari me arsyetimin e performansës së dobët. Duke e konsideruar të pabazë arsyetimin e dhënë, shkarkimin e tij e kam kundërshtuar duke e konsideruar si veprim me pasoja për Agjencinë.
Motivet reale të shkarkimit të z. Hajdari besoj se do të bëhen të qarta për publikun me përzgjedhjen e pasardhësit të z. Hajdari. Mirëpo, jam i obliguar t’i sqaroj publikut të arriturat e Agjencisë gjatë kohës sa ky i fundit ka qenë Drejtor Menaxhues i Agjencisë. Raportet vjetore të Agjencisë dhe raportet e Auditorit të Përgjithshëm tregojnë që rezultatet e shënuara nga Agjencia në vitin 2017 janë më të mirat në historikun e Agjencisë. Gjatë këtij viti Agjencia ka shitur me shumë asete se ndonjëherë më parë, ka grumbulluar fonde më shumë, ka tërhequr më shumë investitorë, dhe ka ngritur çmimin e shitjes së aseteve. Për më tepër, asetet e uzurpuara gati janë elimuar në tërësi. Të arritura të ngjajshme janë evidentuar edhe në inkasimin e qirasë, transferet e 20 përqindëshit të punëtorëve, dhe në trajtimin e kërkesave kreditore. Me amandamentimin e Ligjit për Agjencinë, është bërë e mundur shpërndarja e fondeve të bllokuara të privatizimit, çështje kjo që është debatuar gjatë në Kosovë. Ndryshimet në legjislacion kanë bërë të mundur edhe pagesën më të lehtë të shpronësimeve nga ana e Qeverisë por edhe të institucioneve të tjera. Edhe brenda vet Agjencisë janë ndërmarrë hapa serioz në drejtim të rritjes së efiçiencës.
Duhet thënë që këto rezultate janë produkt i punës dhe i bashkëpunimit të plotë në mes të menaxhmentit dhe Bordit të Drejtorëve. Mirëpo, largimi i Drejtorit Menaxhues, për mua si Kryesues i Bordit, nënkupton shkëputjen e lidhjes në mes të këtyre dy mekanizmave kryesor të Agjencisë, e që besoj se është qenësore për punën e mëtejme të Agjencisë. Për më tepër, arsyetimi i pabazuar se shkarkimi është rezultat i rezultateve të dobëta të punës, ka zbehur besimin tim se mund të punohet më tutje në interesin e përgjithshëm të Agjencisë. Rrjedhimisht, sot i kam dorëzuar dorëheqjen time si Kryesues i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
BE do të vendosë sanksione të reja ndaj Iranit
KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të shtunën...
Media spanjolle: Bumi i turizmit katapulton ekonominë e Shqi...
Vizita e Erdogan në Serbi, Turqia do zhvillojë industrinë e ...
Kosova U21 pëson humbje të thellë nga Polonia U21 në kualifi...
Kryeministri britanik: Zgjidhja e konfliktit në Lindjen e Me...