Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua në Londër me sekretarin e jashtëm britanik, Philip Hammond, me të cilin bisedoi për sfidat e vendit në fushën e sundimit të ligjit dhe të rendit, përballjen me kërcënimet ekstremiste, rrugën evropiane të Kosovës dhe zhvillimin ekonomik të saj, përmes tërheqjes së investitorëve të huaj.
Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit me Britaninë e Madhe, që e ka ndihmuar Kosovën në procesin e ndërtimit të paqes dhe të shtetësisë së saj.
Ajo tha se Kosova është e përkushtuar që të ndërtojë një shoqëri demokratike e gjithëpërfshirëse dhe të luajë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit. Ajo tha se sundimi i ligjit dhe rendit dhe ndërtimi i një shtetit të së drejtës janë përparësi të shoqërisë në vend.
Jahjaga tha se qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj besojnë në parimin e drejtësisë për të gjithë dhe se shpreson se institucionet e vendit do të gjejnë së shpejti mundësinë për të përmbushur obligimet ndërkombëtare duke votuar për krijimin e Gjykatës Speciale, që do të adresojë akuzat e ngritura nga raporti i Këshillit të Evropës, duke shmangur një hap që do të mund të ndërmerrej nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Duke folur për procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e vendit janë të përkushtuara për dialogun por ritheksojnë rëndësinë e zbatimit të plotë të gjitha marrëveshjeve të arritura dhe kushtëzimit të rrugës evropiane të Serbisë me zbatimin e tyre.
Ajo tha se Serbia po vazhdon të mbështesë strukturat ilegale të sigurisë në Kosovë, të cilat sipas marrëveshjeve do të duhej të shpërbëheshin.
Kurti për protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e V...
Hoxha për takimin me Kurtin: Theksuam nevojën për projekte s...
Molliqaj: Punëtorët më të pasigurt se kurrë, më 7 qershor vo...
Vetura godet dy këmbësorë në Mitrovicë, njëri pëson lëndime ...
Macron kërkon fundin e sulmeve në Liban dhe marrëveshje urgj...
Uran Ismaili uron në mënyrë të veçantë Kadri Veselin për dit...