Qeveria e Kosovës nuk është dorëhequr, as shkarkuar e as nuk është në detyrë, rrjedhimisht as kryeministri i vendit e as kabineti qeveritar. E njëjta vlen edhe për udhëheqësit dhe për deputetët, meqë Kuvendi ka pezulluar punën por nuk është shpërndarë.
Kështu thotë në interpretimin ligjor, Flurije Morina nga Zyra Ligjore e Republikës së Kosovës. Ky reagim vjen pas shkrimeve të shumta të cilat atakuan RTK-në gjatë ditës së mërkurë.
Në nenin 28 paragrafin 1 të Ligjit për Qeverinë përcaktohet përfundimi i mandatit të Qeverisë, si në vijim:
1. Mandati i Qeverisë përfundon: 1.1. Me përfundimin e mandatit katërvjeçar të Kuvendit; 1.2. Me rastin e votimit të suksesshëm nga Kuvendi të mocionit të mosbesimit për Qeverinë në tërësi; 1.3. Me dorëheqjen e Kryeministrit dhe në çdo rast tjetër në të cilin posti i Kryeministrit mbetet i lirë; 1.4. Me shpërndarjen e Kuvendit.
Andaj, duke pasur parasysh dispozitat e lartcekura të Ligjit për Qeverinë si dhe paragrafin 1 të nenit 66 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës me të cilin përcaktohet që: Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, e siç dihet seanca konstituive e legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës është mbajtur më datë 22.03.2021, çka do të thotë se kufizimet e Qeverisë në dorëheqje fillojnë të zbatohen nga data 23.03.2025 deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga ana e Kuvendit”.
Të njëjtin mendim e kanë edhe organizatat e shoqërisë civile. Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se qeveria e kryeministri duhet të quhen në dorëheqje ose në detyrë atëherë kur kryeministri jep dorëheqje.
“Sipas Kushtetutës dhe ligjit, mandati i një qeverie i përfundon në katër raste, në rastin kur kryeministri jep dorëheqje, në rastin kur shpërndahet kuvendi dhe në rastin kur shkaktohet një mocion i mosbesimit. Pra, këto katër raste përbëjnë pastaj një qeveri në detyrë. Aktualisht kjo qeveri është e lidhur me mandatin e Kuvendit, mandat i cili përfundon më 22 mars 2025, rrjedhimisht ka mandat të plotë deri në datën kur është konstituuar Kuvendi. Përndryshe, qeveri në detyrë ose në dorëheqje është vetëm në rastet e lartpërmendura, e të cilat pastaj kësaj qeverie ia kushtëzojnë vendimmarrjen”, ka theksuar Jakaj për RTK-në.
Interpretim të njëjtë ka edhe Eugen Cakolli nga KDI-ja. Ai thotë se Qeveria aktuale ushtron të gjitha kompetencat e saj kushtetuese deri në certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja.
“Mandati i Qeverisë lidhet drejtpërdrejt me mandatin e Kuvendit, i cili përfundon me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, jo me përmbushjen e katër viteve nga konstituimi i Kuvendit (22 mars). Prandaj, Qeveria aktuale ushtron të gjitha kompetencat e saj kushtetuese deri në certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja. Anëtarët e kabinetit qeveritar që janë zgjedhur deputetë duhet të japin dorëheqje para certifikimit të rezultateve. Vetëm atëherë, Qeveria kalon në statusin e ‘Qeverisë në detyrë’ derisa të zgjidhet Qeveria e re”, ka thënë Cakolli në reagimin e tij në Facebook.
A do ta ftojë Driloni, Sarën në meçin e tij?
Liderët botërorë bëjnë thirrje për diplomaci dhe ulje tensio...
Ministria iraniane e Shëndetësisë: 224 persona të vrarë nga ...
Macron shpreson se konflikti Iran-Izrael do të ‘qetësohet’ n...
Humbi kontrollin mbi ‘Jet Ski’, shtetasi belg përfundon në s...
Konflikti Izrael-Iran, Kallas thërret takim me ministrat e j...