Enver Hoxhaj, ish-zëvendës i Ramush Haradinajt në kabinetin e kaluar qeverisës, ka thënë se ky i dyti në qeverisje e ka izoluar Kosovën.
“Nuk ka dyshim. Në Qeverinë që edhe unë kam marrë pjesë numri i vizitorëve që kanë ardhur ka qenë më i vogli”, ka thënë Hoxhaj në Interaktiv të KTV-së.
Duke u përgjigjur në kritikën e Haradinajt për servilizëm të Kadri Veselit ndaj ndërkombëtarëve, Hoxhaj ka thënë se “deklaratat e tilla më shumë shkojnë në frymën e asaj që dikujt në një skaj të Kosovës t’i zgjohet një ndjenjë e të kaluarës”.
“Të jem i qartë, interesi i Kosovës është në linjë me interesin e SHBA-së dhe me Bashkimin Evropian”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se kushdo që mendon ndryshe, e ka gabim.
“Natyrisht që me taksën e kemi goditur Serbinë. Por diskutimi për taksën do të marrë formë kur të formohet Qeveria e re”, ka thënë ai.
Hoxhaj – që vazhdimisht ka thënë se ka qenë ai ideator i vënies së tarifës 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina – ka thënë se Kosova duhet ta kushtëzojë heqjen e taksës me një deklaratë publike të Serbisë se e pezullon fushatën për çnjohjen e Kosovës.
Ai ka thënë se Qeveria Haradinaj nuk e ka listën e gjatë të vendimeve të mëdha siç kishte premtuar.
Duke u përgjigjur në pyetjen se Haradinaj po thotë se e ka ndaluar ndarjen e territorit, Hoxhaj ka deklaruar: “Me çfarë? Me deklarata? Çfarë veprime? Çfarë ka ndodhur që ka parandaluar ndarjen?”
Hoxhaj ka përsëritur se nëse opozita e atëhershme, e përbërë nga AAK-ja, VV-ja e Nisma, nuk do të bënin bllokimin e votimit të demarkacionit, liberalizimi do të ndodhte më 2016.
“Për tema të mëdha duhet të kemi pajtim. Nëse ka tema të mëdha ku këta s’kanë merita është liberalizimi i vizave. Shpikja e temës së demarkimit, humbja e 10 mijë hektarëve, protesta. 2016-a do të ishte viti kur do të kishim liberalizim vizash. Jemi më 2019 dhe ende jemi me temën e njëjtë. Qytetarët e dinë që më 2012 morëm udhërrëfyesin për liberalizim. Kemi pas dyfish kritere. Ne, kryesisht si PDK, kemi bërë punë të mëdha në përmbushjen e kritereve. Edhe të tjerët gjithashtu. Edhe Haradinaj e votoi vijën e njëjtë. Më 2016 kemi humbur shans të madh. Arritjet e vonuara s’janë arritje. Nëse ndodh më 2020 s’është arritje. E njëjta është për dialogun. Nëse nuk përmbyllet në një afat të caktuar kohor, por shtyhet për vite të tëra e pas 20 vjetësh pavarësi mbesim edhe më tutje jashtë sistemit ndërkombëtar, do ta kemi edhe më të vështirë”, ka thënë tutje Hoxhaj.
Ai ka shtuar po ashtu se PDK-ja s’do të bëjë më “koalicion pesë minuta para mbylljes së afatit”.
Ka thënë se “i vetmi koalicion do të jetë ai me qytetarët”.
Sipas tij, çdo koalicion parazgjedhor i përbërë nga të tjerët është “për shkak se kanë frikë nga PDK-ja”.
Detaje të reja nga vrasja e trefishtë në Mal të Zi, policia ...
Reagon Albulena Haxhiu: Burgimi i përjetshëm, përgjigje e fo...
Sipas Sky Sport, Slot pritet të vazhdojë edhe për një sezon ...
Trumpi thotë se nuk dëshiron ta zgjasë armëpushimin me Irani...
Ambasadori amerikan në NATO mbërrin në Kosovë, Ambasada jep ...
Rama: Siguria ushqimore, sfida më komplekse e procesit të in...