Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar dispozitën e Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2015, e cila kufizonte njohjen e kualifikimeve arsimore në skemën e pensioneve kontribut-paguese në bazë të datës së fitimit të tyre.
Sipas njoftimit për media, Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit Sh.S. kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), përkatësisht Departamentit të Pensioneve.
Me këtë vendim, Supremja ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar paragrafin 5 të nenit 5 të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2015, i cili rregullon kategorizimin e përfituesve të pensioneve kontribut-paguese sipas strukturës kualifikuese dhe kohëzgjatjes së pagesës së kontributeve.
Në arsyetimin e saj, Gjykata ka theksuar se dispozita e kontestuar, e cila kërkonte që dëshmitë për kualifikim arsimor të jenë të fituara para datës 1 janar 1991, nuk ka bazë ligjore dhe përbën tejkalim të autorizimeve të përcaktuara me ligj. Sipas Gjykatës Supreme, ligji përkatës për skemat pensionale nuk e lidh të drejtën për pension me kohën e fitimit të kualifikimit arsimor, por me pagesën e kontributeve dhe përmbushjen e kushteve të tjera ligjore.
Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se kufizimi i vendosur është arbitrar, pa qëllim të qartë legjitim dhe joproporcional, pasi përjashton një kategori të tërë pensionistësh kontribut-pagues që kanë përmbushur kushtet ligjore, vetëm për shkak të kohës së fitimit të kualifikimit të tyre arsimor.
Sipas aktgjykimit, një dispozitë e tillë cenon parimin e barazisë para ligjit dhe sigurinë juridike, duke krijuar dallime të pajustifikuara ndërmjet pensionistëve që ndodhen në rrethana të njëjta sa i përket kontributeve dhe stazhit pensional.
Gjykata Supreme ka konstatuar se dispozita e shfuqizuar është në kundërshtim me Ligjin për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti dhe cenon parimet themelore të rendit juridik, duke vendosur një kufizim të pabazuar dhe diskriminues për përfituesit e pensioneve kontribut-paguese.
Slot afër shkarkimit, Alonso gati të marrë ‘timonin’ e Liver...
Pas eliminimit nga BBVA, Stenaldo takohet me Gimbon
Osmani: Ftoj deputetët që nesër të caktojnë seancën e re
Gjermania drejt kufizimit të pijeve energjike për të miturit
Kosovari arrestohet nga policia zvicerane, kërcënoi me vdekj...
Rama bën homazhe për Bajram Kelmendin