Hargreaves: Rinumërimi bart rreziqe për afatet, e rëndësishme që Presidenti të zgjidhet me kohë

18:37 | 20 Janar 2026
E.H

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves theksoi rëndësinë që të respektohen afatet e parapara për zgjedhjen e presidentit të ri.

Ai tha se procesi i rinumërimit të votave është shumë i rëndësishëm për integritetin e procesit.

“Kjo dëshmon aftësinë e sistemit për të identifikuar dobësitë dhe për t’i adresuar ato, në mënyrë që të ruhet integriteti i zgjedhjeve. Kjo natyrisht bartë disa rreziqe sa i përket afateve kohore dhe shpresoj që Komisioni ta kryejë rinumërimin sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai për T7.

Hargreaves tha se “është jashtëzakonisht e rëndësishme që pas kësaj, partitë politike të bashkohen, Kuvendi të konstituohet dhe qeveria të nisë punën, në mënyrë që buxheti dhe marrëveshjet ndërkombëtare të miratohen sa më shpejt”.

“Po ashtu, është shumë e rëndësishme që procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të zhvillohet sipas afateve të paraprara. Jam i bindur se të gjitha partitë janë të përkushtuara për këtë, sepse të gjithë e kuptojnë rëndësinë që këto procese tejet të rëndësishme kanë për Kosovën”, tha ai.

Ambasadori britanik tha se Kosova këtë vit duhet të bëjë përparim drejt integrimit.

“Në vitin 2026, ndërsa Kosova hyn në vitin e saj të 19-të të shtetësisë, është thelbësore që të ketë një qeveri që është në gjendje të veprojë me vendosmëri, të bëjë përparim drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, dhe të vazhdojë në këtë rrugë të demokracisë që ka qenë mbresëlënëse gjatë viteve të fundit”.