Haradinaj: Mbajtja e zgjedhjeve më 28 dhjetor, ofendim për qytetarët

11:54 | 20 Nëntor 2025
Q L

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se data më e mirë për mbajtjen e zgjedhjeve është 21 dhjetori.

Në një konferencë për media pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ai tha se mbajtja e zgjedhjeve më 28 dhjetor është një ofendim për qytetarët pasi të gjithë janë në pushime dimërore.

“Sot u nënshkrua dekreti për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Duke qenë se ka shumë akumulime të temave buxhetore, u propozua që dita e zgjedhjeve parlamentare të jetë 21 dhjetor. Qeveria në detyrë që është sot mund të marrë disa vendime buxhetore si ajo ndaj RTK-së. Periudha para Vitit të Ri, se pse pushteti po kërkon datën 28 dhjetor, është datë shumë e çmuar e familjeve; është një arrogancë nga politika, një përbuzje me i shpall zgjedhjet më 28 dhjetor që janë pushimet, jo me u marrë në natën e Vitit të Ri me numërimin e votave. Ne si Aleancë do ta ndihmojmë Kosovën dhe mos t’i humbim kohë Kosovës. Duhet të përshpejtojmë kohë. Kemi qenë të hapur në vazhdimësi që të gjendet një zgjidhje buxhetore. Unë kam shprehur kritikë për mandatarin e dytë. Nuk ka pasur arsye me u thirrur seancë për buxhet në ditën e seancës së mandatarit të dytë. I ftoj qytetarët të dalin të votojnë. Ne qëndrojmë për qeveri të opozitës, ta gjejmë një formulë që të ecim përpara. Duhet të reflektohet, nuk e kemi luksin që pas zgjedhjeve të ardhshme të sillemi si drejtor”, tha Haradinaj.

I pyetur nga gazetarët nëse AAK do ta kalojë pragun zgjedhor, pas deklaratës së kryeministrit Kurti se Nisma e ka ndihmuar AAK-në ta kalojë pragun, Ramush Haradinaj reagoi duke thënë: “Ai po na bën dertin si vëlla, e falënderoj.”./Arbresh.info./

Të ngjashme