Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka uruar 18 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke thënë se historia e lavdishme e Republikës sonë nuk mund të rishkruhet.
Hamza, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, tha se shpallja e pavarësisë ishte fitore e vendosmërisë së një populli që refuzoi të nënshtrohej.
“Pavarësia jonë nuk është gabim historik. Ajo është e drejtë e fituar me shumë heronj, dëshmorë, martirë dhe me përkrahjen e aleatëve tanë. Kosova është realitet i pakthyeshëm. Shteti ynë është projekt i përfunduar i lirisë. Sfida kemi. Beteja kemi. Por, ne do të triumfojmë. Shtetin tonë do ta bëjmë më të fortë. Institucionet më efikase. Drejtësinë më të barabartë. Demokracinë më funksionale. Por mbi të gjitha, do ta ruajmë kujtesën tonë. Sepse një popull që harron sakrificën, rrezikon ta humbasë lirinë. Dhe ne nuk do ta humbasim. Kosova është shtëpia jonë. Është amaneti ynë. Është përgjegjësia jonë. Liria jonë ka emra. Ka varre. Ka histori që nuk shlyhen. Dhe mbi këto sakrifica qëndron Republika jonë: e lirë, sovrane dhe e përjetshme. Gëzuar Ditën e Pavarësisë! Gëzuar Ditën e Shtetësisë, Kosovë!”, deklaroi kreu i PDK-së.
Hamza u shpreh se UÇK-ja ishte ushtri çlirimtare, përgjigje ndaj shtypjes dhe zëri i një populli që nuk kishte më rrugë tjetër, prandaj Kosova kërkon drejtësi.
“Shtetësia nuk është vetëm flamur dhe himn. Shtetësia është edhe përgjegjësi. Është drejtësi. Është ruajtje e së vërtetës sonë historike. Sot festojmë, por, njëkohësisht edhe reflektojmë. Sepse ndërkohë që ne ndërtojmë të ardhmen, pjesa më e lavdishme e historisë sonë, lufta çlirimtare, është në bankën e të akuzuarve në Hagë. Lufta jonë çlirimtare po gjykohet. Ata që bënë këtë shtet, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, po gjykohen. Dhe sot duhet ta themi qartë, me vendosmëri: Besimi i Kosovës në drejtësinë ndërkombëtare nuk duhet tradhtuar”, tha Hamza.
Ai theksoi se kjo Republikë është fitore, themelet e së cilës janë të skalitura me gjakun e dëshmorëve.
“Sot, në këtë ditë shumë të rëndësishme për popullin tonë, ne përulemi me mirënjohje. Para familjeve të dëshmorëve. Para luftëtarëve të lirisë. Para çdo qytetari që kontribuoi për këtë ditë. Dhe përulemi me mirënjohje edhe para aleatëve tanë. Në orët më të errëta të historisë sonë, bota demokratike nuk heshti. Ndërhyrja e NATO-s ishte momenti kur ndërgjegjja e qytetërimit u bë mburojë e Kosovës. U jemi përjetësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mikut tonë të madh dhe aleatit tonë strategjik, që qëndruan në anën e duhur të historisë. Faleminderit vendeve të Bashkimit Evropian dhe çdo shteti që njohu pavarësinë tonë. Faleminderit ushtarëve të KFOR-it që garantuan paqen dhe sigurinë në tokën tonë. Kosova nuk harron. Kosova di t’i nderojë miqtë. Dhe Kosova mbetet e palëkundur në aleancat e saj euroatlantike. Sepse liria jonë është meritë edhe e miqve tanë”, u shpreh Hamza.
Rikthehet Liga e Kampionëve, sonte katër sfidat e para të pl...
Përfundon marshi “Drejtësi, jo politikë”
Kearns: S’mund të rrimë duarkryq kur kërcënohet siguria në B...
Presidenti i Izraelit uron 18 vjetorin e Pavarësisë së Kosov...
Osmani i bashkohet Marshit për Drejtësi, përshëndetet me Ham...
Vritet në Londër nipi i këngëtares kosovare, disa të arrestu...