Grupi Ndërkombëtar i Krizave: Kosova po i teston kufijtë e durimit të BE-së

20:11 | 16 Tetor 2025
E.H

Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) në raportin e fundit të publikuar të enjten ka vënë theksin mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, duke vlerësuar se vendit po i përkeqësohen marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në raportin e saj kjo organizatë joqeveritare me mision për parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve me seli në Bruksel thekson se Kosova po e vë në provë durimin e BE-së, për shkak të politikave të qeverisë aktuale që, sipas raportit, kanë synuar centralizimin e pushtetit dhe ushtrimin e kontrollit të rreptë në veri të vendit.

ICG përmend se sanksionet e Bashkimit Evropian në vitin 2023 dhe pezullimi i dialogut strategjik nga SHBA-ja janë pasojë e “lëvizjeve të kryeministrit Albin Kurti për ta forcuar kontrollin qeveritar dhe të trajtimit të ashpër ndaj komunitetit serb në veri, i cili prej kohësh ka shpresuar në autonominë e premtuar në marrëveshjet e kaluara”.

Sipas raportit, për kryeministrin Kurti dhe partinë e tij politike Vetëvendosje, politikat ndaj komunitetit serb po shërbejnë si pjesë e një projekti më të gjerë për “rindërtimin e shtetit”, duke u përpjekur që nga viti 2021 ta vërë nën kontroll pjesën veriore. ICG paralajmëron se një qasje e tillë mund ta izolojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, ndërsa kujton se BE-ja është përpjekur ta shmangë këtë që prej nisjes së dialogut Kosovë–Serbi.

Në drejtim të uljes së tensioneve, ICG rekomandon që BE-ja të përqendrohet në çështje konkrete të dialogut, përfshirë zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, menaxhimin e kufijve, njohjen e diplomave dhe gjetjen e formave për ofrimin e shërbimeve arsimore e shëndetësore për serbët në Kosovë dhe shqiptarët në Serbi.

Organizata gjithashtu nënvizon se Kosova duhet të përfitojë nga perspektiva e anëtarësimit në BE, ndërsa Brukseli duhet të ushtrojë presion që të mbrohen të drejtat e pakicës serbe dhe të sigurohet autonomia lokale, përfshirë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një tjetër rekomandim, ICG thekson se ndihmat financiare dhe mbështetja diplomatike për Kosovën duhet të kushtëzohen me hapa konkretë për forcimin e institucioneve demokratike dhe ndërtimin e kapaciteteve shtetërore, duke përfshirë pavarësinë e gjyqësorit, transmetuesit publik dhe agjencive të pavarura.

Raporti kritikon gjithashtu qeverinë për bllokim të fondeve për komunat, duke vlerësuar se kjo politikë mund të ndikojë negativisht ndaj saj në zgjedhjet e ardhshme, të cilat, sipas vlerësimeve të organizatës, mund të mbahen në vitin 2026.

Në përfundim, Grupi Ndërkombëtar i Krizave thekson se “është e vështirë të imagjinohet një e ardhme pozitive për shtetin e ri pa mbështetjen e Bashkimit Evropian”, duke shtuar se ajo mbështetje nuk do të rikthehet derisa Qeveria e Kosovës të punojë për rindërtimin e besimit me Serbinë, përmirësimin e marrëdhënieve me komunitetin serb dhe përkushtimin ndaj parimeve të qeverisjes së mirë./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme