Gratë e Vetëvendosjes shënjestrojnë ngacmimin seksual

23:17 | 26 Janar 2018

Gratë nga partia opozitare e Kosovës, Vetëvendosje thonë se është koha për të rritur ndërgjegjësimin për problemin e ngacmimeve seksuale në vend, duke thënë se kjo ndodh edhe brenda partisë së tyre.
Gratë anëtare të partisë kryesore të opozitës në Kosovë, Vetëvendosje, kanë theksuar rastet e ngacmimit seksual në mjedisin e tyre të punës, në një përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin për fenomenin e gjerë në vend.

“Ka pasur ngacmime, kjo nuk ka qenë kulturë e përgjithshme as e pranueshme, por ka ndodhur fshehur, prej një numri të vogël personash. Këto ngacmime i kemi marrë vesh nga ankesat e vajzave të përfshira drejtpërdrejt”, tha për BIRN, Nazlie Bala, udhëheqëse e sekretariatit të grave aktiviste në Vetëvendosje.

Deklarata e saj erdhi pasi Albin Kurti, kreu i partisë, të enjten në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, tha se partia e tij ka nevojë për një kod etike për të trajtuar ngacmimet seksuale.

“Zyret e Vetëvendosjes nuk kanë pasur asnjë imunitet nga shprehjet e papranueshme dhe komunikimet mashkullore shoviniste tek gratë dhe vajzat, të cilët ata i vënë në një lloj pozicioni të sikletshëm në vendet e punës”, tha Kurti.

Deklarata e Kurtit bëri bujë në mediat sociale, por Diellëz Arifi, një aktiviste e Vetëvendosjes, tha për BIRN se “duhet sqaruar se diskriminimi gjinor, pabarazia apo ngacmimi nuk është e njëjta me seks”.

“Reagimet e shumta që kanë ardhur me t’u adresuar kjo temë kanë ardhur për shkak të këtij barazimi”, deklaroi ajo.

Bala tha se ngacmimet shpesh nuk ishin të drejtpërdrejta dhe ndonjëherë ndiqeshin nga refuzimet e grave. “Ne kemi mësuar për këto ngacmime nga ankesat e vajzave të përfshira drejtpërdrejt”, shpjegoi ajo.

E pyetur nëse ndonjë nga këto raste është penalizuar, Bala deklaroi se një person u shkarkua nga partia në vitin 2013 pas një ankese.

Ajo tha se ngacmimi seksual mbetet një çështje sfiduese dhe do të duhet kohë dhe energji për të krijuar një hapësirë ​​në të cilën rastet e tilla do të adresohen dhe denoncohen.

” Fakti që kemi filluar të flasim publikisht për këtë si Lëvizje, duam që ta thejmë këtë tabu para së cilës shoqëria i mbyll sytë”.

“Duhet të arrijmë një ambient që nuk e gjykon denoncuesen, por denoncuesin”, tha Bala duke bërë thirrje për mbështetje nga pjesët e tjera të shoqërisë dhe sidomos në mediat.

Arifi tha për BIRN se ajo dhe miqtë e saj kishin përjetuar situata të tilla. Ajo vuri në dukje se ndërsa Vetëvendosja nuk është një strehë e ngacmimit, as nuk është e imunizuar prej tij.

“Unë, ose shoqet e mia ku unë kam qenë prezente kemi qenë cak i ngacmimit (në hapësirën e veprimit), i fjalorit të papërshtatshëm ose i komplimentit të tepruar”, tha ajo për BIRN.

“Kjo na ndodh brenda dhe jashtë Lëvizjes. Të gjitha këto sjellje krijojnë një mjedis joadekuat për angazhimin e vajzave dhe grave. Ndonjëherë, kjo sjellje mund të jetë pa vetëdije, por është ende e dëmshme dhe shoqëria duhet të jetë e vetëdijshme për të”, përfundoi ajo.

Arifi tha se gratë aktiviste të Vetëvendosjes duhet të jenë në ballë të denoncimit të këtij fenomeni, “brenda dhe jashtë Lëvizjes”, duke shtuar: “Për të qenë në gjendje të denoncojmë nga jashtë, duhet të fillojmë brenda Lëvizjes”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara