Gjykata Themelore e Prishtinës obligon policinë që ta gjejnë Rexhep Selimin

16:33 | 21 Janar 2022

Ish-komandanti i UÇK-së dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Rexhep Selimi, gjendet në paraburgim në Dhomat e Specializuara në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020, pas konfirmimit të aktakuzës që përfshiu krerët më të lartë të shtetit. Megjithatë, ky fakt nuk i ka mjaftuar Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila ka urdhëruar Policinë e Kosovës, përkatësisht stacionin “Veriu” në Prishtinë, që ta gjejë se ku gjendet Rexhep Selimi.

Demokracia.com ka siguruar urdhëresën skandaloze që Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka dërguar Policisë së Kosovës.

“Urdhërohet verifikimi i adresës përkatësisht objekti i vendbanimit, vendqëndrimit të të pandehurit Rexhep Selimi, nga i ati Dastan dhe nëna Sofije, e gjinisë Krasniqi, i lindur më datë 15.03.1971, në fshatin Aqarevë, me vendbanim në Prishtinë, Lagja Bregu i Diellit ZP. Pasi që të verifikohet dhe konsultohet vendbanimi apo vendqëndrimi i të njëjtit, të njoftohet me shkrim gjykata që të mund të komunikojë me të akuzuarin”, thuhet në urdhëresën e Gjykatës Themelore të siguruar nga Demokracia.com.

Kjo urdhëresë është nënshkruar nga Adnan Kamberi, gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Por, para se ta lëshonte këtë urdhëresë, gjyqtari Kamberi e dinte se ku gjendej Rexhep Selimi.

Më 15 dhjetor, pikërisht 15 ditë para se ta lëshonte këtë urdhëresë, Kamberi kishte deklaruar se gjykata ka pranuar fletëkthesën në të cilën rezulton se e ka pranuar një person tjetër.

Për Selimin, gjykatësi tha se tanimë dihen shkaqet e mungesës së tij, pasi që i njëjti gjendet në një tjetër procedurë gjyqësore.

“Gjykata do të marrë edhe një konfirmim prej Policisë së Kosovës lidhur me Rexhep Selimin edhe pse për të është një fakt notor që i njëjti është në një procedurë tjetër gjyqësore, e pastaj gjykata do të veprojë konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale”, kishte thënë gjykatësi Kamberi.

Selimi bashkë me disa ish-deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës akuzohen se kanë kryer veprën penale: Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 375 par.1 të KPRK-së. Po ashtu, secili veç e veç prej tyre akuzohen se e kanë kryer edhe veprën penale: pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 409 par. 1 të KPK-së.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara