Gjykata Speciale arrin marrëveshje me Belgjikën: Personat e dënuar mund ta kryejnë dënimin me burgim në Belgjikë

15:25 | 13 Qershor 2025
L G

Dhomat e Specializuara të Kosovës (“DHSK”) dhe Mbretëria e Belgjikës, kanë nënshkruar zyrtarisht Marrëveshjen mbi Zbatimin e Dënimeve.

Sipas njoftimit të DHSK-së marrëveshja u nënshkrua më 12 qershor të këtij viti dhe sipas kësaj marrëveshje, personat e dënuar nga DHSK-ja mund ta kryejnë dënimin me burgim në Belgjikë, raporton Arbresh.info.

“Marrëveshjen e nënshkruan Administratorja e DHSK-së, Dr. Fidelma Donlon, dhe z. Zherar Div, shef i Autoritetit Qendror për Bashkëpunim me Gjykatat Penale Ndërkombëtare, në Ministrinë e Drejtësisë së Belgjikës në Bruksel. Sipas kësaj marrëveshjeje, personat e dënuar nga DHSK-ja mund ta kryejnë dënimin me burgim në Belgjikë, në varësi të kushteve që cakton DHSK-ja dhe miratimit të Belgjikës”, thuhet në njoftim.

Kryetarja Ekaterina Trendafilova tha se zbatimi i dënimit është thelbësor për një sistem gjithëpërfshirës dhe efektiv të drejtësisë penale ndërkombëtare. Ajo shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës për DHSK-në.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Mbretëria e Belgjikës riafirmon përkushtimin e fuqishëm të saj ndaj drejtësisë penale ndërkombëtare dhe aftësinë e DHSK-së për të kryer mandatin e vet.” Kryetarja e DHSK-së ftoi gjithashtu edhe shtetet e tjera të ndjekin shembullin e Belgjikës në fuqizimin e kornizës së DHSK-së për zbatimin e dënimeve përmes arritjes së marrëveshjeve të ngjashme”, tha Trendafilova.

Në anën tjetër, shefi i Autoritetit Qendror të Belgjikës deklaroi: “Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje dëshirojmë të shprehim mbështetjen e Belgjikës ndaj DHSK-së dhe drejtësisë ndërkombëtare në tërësi. Me këtë marrëveshje, Belgjika tregon angazhimin e vet të palëkundur ndaj funksionimit të plotë të DHSK-së, sipas marrëveshjes midis BE-së dhe Kosovës.”

Në pajtim me Shkëmbimin e Letrave të vitit 2014 midis Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë dhe Presidentes së Kosovës, dhe nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës, dënimet e formës së prerë kryhen jashtë Kosovës./Arbresh.info/