Gjendet i ngordhur një rrëqebull ballkanik në Bjeshkët e Nemuna

14:13 | 2 Gusht 2018

Organizata ‘Environmentally Responsible Action’ (ERA) e ka gjetur të ngordhur trupin e një rrëqebulli ballkanik në parkun kombëtar, Bjeshkët e Nemuna. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës (AUV) i është përgjigjur ERA-s se trupi është i dekompozuar dhe nuk mund të kryhet obduksioni i plotë. Shkaqet e vdekjes ende nuk dihen.

Për këtë ka reaguar kryetari i Komunës së Pejës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Rrjeti i Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit (BLRP) dyshon që Rrëqebulli është vrarë. “Pozicioni fizik i rrëqebullit të vdekur mbi degë duket jo i natyrshëm”, thuhet në njoftimin e organizatës ERA.

Trupi i rrëqebullit me urdhër zyrtar është dërguar ne laboratorin e AUV, në Sektorin e Patologjisë dhe Histologjisë. “Ata e kanë pranuar trupin, e kanë konfirmuar që është rrëqebull dhe e kanë vlerësuar trupin si të dekompozuar”, vazhdon njoftimi i ERA-s.

Për analiza të mëtutjeshme ERA ka marrë mostrat të materialit gjenetik të cilat do të dërgohen në Zvicër. Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thënë se ndihet i shqetësuar që kemi humbur një rrëqebull.

“Rrëqebulli që jeton në Kosovë është lloj i rrallë për të gjithë botën. Ndihem shumë i shqetësuar që kemi humbur një rrëqebull. Unë si kryetar do të bëj më të mirën që të ruaj këtë vlerë botërore”, ka thënë Muhaxheri.

Momenti i identifikimit të rrëqebullit, Foto: ERA/Facebook

Për këtë rast ka reaguar edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Ministria ka shprehur shqetësimet e tyre dhe statusin ligjor të rrëqebulli në Kosovë.

“Rrëqebulli është një lloj plotësisht i mbrojtur dhe gjuetia e tij ndalohet rreptësishtë edhe me Kodin Penal të Kosovës, ku neni 359, paragrafi 4 parasheh dënimi prej 3 muaj deri 3 vite burgim për këdo që gjuan lloje të rrezikuara ose të rralla të kafshëve”, thuhet në reagimin e MMPH-së.

MMPH-ja, u ka bërë apel të gjithë qytetarëve të Kosovës, të raportojnë për çdo veprimtari të dyshimtë të gjuetisë ndaj specieve të rralla dhe të mbrojtura me ligjet e Kosovës. Këtë vit bëhen 5 vite që ERA inventarizon kafshët e egra me fokus rrëqebullin ballkanik.

Në vitin 2015, ERA në kuadër të programit të BLRP ka konfirmuar ekzistencën e rrëqebullit në Kosovë. Deri tani janë konfirmuar vetëm dy individë. Sezoni 2018-19 i programit të monitorimit do të filloj në muajin tetor.

‘Environmentally Responsible Action’ (ERA) është një organizatë joqeveritare me seli në Pejë. Si mision ka ngritjen e vetëdijes mjedisore, ndërgjegjësimit dhe përgjegjësisë së rinisë dhe komunitetit të Kosovës. Programi Vjetor i Punës së ERA-s 2018 për Mjedisin, mbështetet përmes një granti operacional nga Bashkimi Europian.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara