EULEX-i: Shefi ynë ia sqaroi Selimit operacionin për arrestimin e veteranëve

18:43 | 5 Tetor 2020

Ministrit të Drejtësisë, Selim Selimit, duket se nuk i ka pëlqyer aspak operacioni i Zyrës së Prokurorit të Specializuar të premten e 25 shtatorit, për ta arrestuar kryetarin e OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucatin dhe nënkryetarin e kësaj organizate, Nasim Haradinajn.

Pas një takimi që e pati të mërkurën e javës së kaluar me Lars-Gunnar Wigemark, Selimi mes tjerash tha se ia ka shprehur atij shqetësimin për operacionin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që i vuri në pranga dy përfaqësuesit e veteranëve të luftës.

Por, këtë punë, EULEX-i thotë se Lars-Gunnar Wigemark ia ka sqaruar ministrit. Selimi nuk ka dashur ta tregojë se çfarë diskutuan të mërkurën në Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë i ka dhënë Gazetës Express pak detaje për bisedën e zhvilluar.

EULEX’i thotë se Lars-Gunnar Wigemark dhe Selim Selimi kanë diskutuar tema të ndryshme atë ditë, teksa thekson se shefi i Misionit të BE-së ia ka sqaruar ministrit se ata dhe Policia e Kosovës vetëm i kanë dhënë mbështetje Zyrës së Prokuorit të Specializuar.

“Siç ka cekur Ministri Selimi në një postim në Facebook, ai ka shprehur shqetësimin rreth operacioneve të fundit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). Shefi i EULEX-it ka theksuar se Misioni nuk ka arrestuar asnjë individ gjatë atyre operacioneve dhe ka shtuar se Njësia e Policisë së Specializuar e EULEX-it së bashku me Policinë e Kosovës vetëm i kanë dhënë mbështetje operacionale ZPS në përputhje me mandatin që ka dhe legjislacionin relevant të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

Gazeta për këtë çështje e ka pyetur edhe ministrin Selim Selimi, teksa nga kabineti i tij kanë thënë se për publikun janë vetëm ato të cilat ministri i kishte shkruar në Facebook pas takimit.

“Ato të cilat janë për publikun, janë shkruar tashmë në llogarinë zyrtare të Facebook-ut të ministrit”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të Selim Selimit.
Ndërkaq, EULEX-i ka treguar se përveç operacionit të 25 shtatorit, ka pasur edhe shumë tema tjera që janë diskutuar gjatë atij takimi.

“Gjatë takimit të fundit mes Shefit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, dhe Ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, janë diskutuar një sërë temash të ndryshme, si raporti i fundit i nxjerrë nga monitorimi që EULEX-i ka bërë në gjyqësorin e Kosovës, strategjia e re e Kosovës për sundimin e ligjit, tema e dhunës në familje, dhe rishikimi në proces i Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator në Prishtinë, pasi Prokurori i Specializuar kishte lëshuar fletarrest për ta. Të dy akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara, Gucati e Haradinaj patën vërejtje të ashpra për arsyet e arrestimit të tyre dhe trajtimin që e kishin marrë pas prangosjes.

Lajmet më të lexuara