Një seancë gjyqësore për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës dështoi të premten në Prishtinë për shkak të mungesës së të akuzuarve, përfshirë ministren e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli-Dalipi, dhe deputetin Salih Zyba.
Seanca nuk u mbajt pasi të akuzuarit Pacolli-Dalipi, Drita Millaku dhe Zyba nuk ishin të pranishëm në gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjyqtari i çështjes, Sabit Sadikaj, tha se Zyba kishte njoftuar gjykatën për pamundësinë e pjesëmarrjes për shkak të një seance plenare në Kuvendin e Kosovës, ndërsa Pacolli-Dalipi kishte arsyetuar mungesën e saj.
Për të akuzuarën Millaku, gjykata nuk ka konfirmim nëse ajo e ka pranuar ftesën për seancën, pasi kjo nuk rezulton nga fletëkthesa, shtoi Sadikaj.
Gjykata do të lëshojë urdhër për sjellje me detyrim për të akuzuarit, ndërsa mbrojtësit e tyre do të ftohen në mënyrë të rregullt.
Në seancë ishte i pranishëm prokurori i shtetit, Avni Namani.
Në këtë rast, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-ës, bashkë me Zybën akuzohen ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deputetja Fitore Pacolli-Dalipi dhe ish-deputetja Drita Millaku.
Ndryshe, në seancën e 16 janarit 2026, i akuzuari Zyba ngriti dyshime për konflikt interesi të prokurorit, duke theksuar se ai mund të ketë lidhje familjare me ish-sekretarin e Kuvendit, dhe kërkoi verifikimin e kësaj lidhjeje, si dhe përjashtimin e prokurorit për shkak të ndikimit të mundshëm dhe joprofesionalizmit.
Po ashtu, në seancën e 16 janarit 2026, Gjykata vendosi të veçojë procedurën penale ndaj Xhelal Sveçlës, i cili mungoi në seancë, duke njoftuar me e-mail se gjendet jashtë vendit.
Dy ditë kanë mbetur deri në zgjedhjet hungareze – publ...
Ministri i Maqedonci: FSK po forcohet me përfshirje dhe bara...
“Punët e Shqipërisë”, Rama me pensionistët: 5-fishojmë pensi...
Me 90 vota për, miratohet Rezoluta për mbrojtjen e së vërtet...
Rezoluta për çmimet e naftës nuk miratohet, deputetët e Vetë...
Izraeli kërkon bisedime me Libanin, paralajmërohet rrezik pë...