Google ADS

Çfarë dihet deri më tani për vrasjen e Liridona Ademajt që tronditi gjithë vendin

15:12 | 5 Dhjetor 2023
E.H

Vrasjet e grave nga bashkëshortët e tyre, po lënë gjurmë të përhershme në vendin tonë.

Vrasja e fundit që tronditi gjithë Kosovën ndodhi më 29 nëntor.

Por, kësaj here, dyshohet se vrasja nuk u bë direkt nga bashkëshorti, por me urdhër të tij dhe me skenim të gjithë krimit nga ana e tij.

Liridona Ademaj sipas autoriteteve të ndjekjes në vendin tonë, po dyshohet se u vra me urdhër të bashkëshortit të saj, Naim Murseli, përmes një plani që kishte thurur bashkë me nipin e tij, të pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kushtrim Kokalla, dhe vrasësin, Granit

Plava, bashkëfshatarë nga Cermjani i Gjakovës, raporton Arbresh.info.

Naim Murseli, një biznesmen jo vetëm në Kosovë, emër i njohur për krerët e institucioneve kosovare, dyshohet se vrau gruan e tij, duke inskenuar ngjarjen si grabitje e armatosur.

Në fshatin Bistricë të Prishtinës, derisa ishin duke lëvizur me makinë Naim Murseli me viktimën tanimë të ndjerë, Liridona Ademaj dhe dy djemtë e tyre, rreth orës 20:25 të 29 nëntorit, u doli në prit Granit Plava i maskuar si një grabitës i armatosur, i cili paraprakisht ishte paguar me gjysmën e shumës prej 30 mijë eurove që ia kishte premtuar Naimi.

Duke inskenuar një vepër të grabitjes, Naimi sipas marrëveshjes paraprake del nga vetura me fëmijët kinse për të ikur, duke lënë pas në veturë Liridonën të cilën Granit Plava e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë, duke i sjell kështu pasoja vdekjeprurëse.

Për këto veprime, Naim Murseli i kishte premtuar Granit Plavës një shumë prej 30 mijë euro.

Kjo ngjarje makabre ka shokuar vendin, duke nxitur reagime të shumta, protesta e akuza.

Vetëm dy ditë pas vrasjes, organet e rendit dhe të drejtësisë kanë arritur të kuptojnë që planifikimi i vrasjes së Liridonës ishte bërë nga bashkëshorti i saj, Naimi, i cili u arrestua menjëherë pas varrimit të së ndjerës në fshatin Cermjan.

Familjarët e këtij Murselit nuk ishin në dijeni, që një dashuri mbi 13-vjeçare do të shuhej në këtë mënyrë.

Shaban Murseli babi i të dyshuarit Naim Murseli, i tronditur për ngjarjen deklaroi se nuk kishte dijeni se djali i tij kishte gisht në këtë vepër.

Edhe pse në shok total, babai i Naimit thotë se marrëdhënia e çiftit ishte shumë e mirë, ndërsa mes lotësh thekson se Liridonën e ka dashur më shumë se vajzat e tij.

Teksa rrëfen për rastin në media, babi i Naimit thotë se nuk kishte pasur njohuri se djali i tij ishte kryerësi i kësaj vepre, sepse në të kundërtën do të ishte hakmarrë vetë dhe sipas tij, sot Naimi nuk do të ishte gjallë.

“Me pasë ditë që e ka bo djali jem, isha hakmarrë vetë – sot s’do ishte gjallë”, është shprehur ai.

Naim Murseli bashkë me dy të dyshuarit e tjerë për kryejnë e veprës të dielën u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditë, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

Që të tre Naimi, Graniti dhe Kushtrimi mbahen në burgun e sigurisë së lartë.

Ndërsa, vëllai i viktimës, Leonard Ademaj tregon se si motra e tij u vra pabesisht nga bashkëshorti i saj, ndërsa shton se nuk donte të besonte një gjë të tillë.

Edhe pse ende nuk dihet arsyet se pse ndodhi krimi, Leonardi beson se arsyeja mund të jetë sigurimi shëndetësor që Liridona ka pasur në Suedi e që kapte shumën prej 20 milion eurove.

“Nuk e dija që isha duke ndenjur me vrasësin e motës sime. Nuk kam pasur dyshime, nuk doja ta besoja. Me traditat që jemi rritur ne kemi në zakon që nuk premë dikë në besë. Nuk ka shans të ndodhte ajo pabesi, por qenkan më të këqij se ne edhe e bëjnë këtë. Ditën e varrimit, unë kam ndenjur pas tij për të parë një lëvizje të tij, dhe i thosha mendjes ça po mendon kështu. Nuk munda të vëreja diçka. Kishte zëra që atë natë, por nuk donim ta besonim sepse ka qenë në familjen tonë prej 13 vitesh”, u shpreh Leonardi.

Kujtojmë se me 1 dhjetor Liridona Ademaj u varros në fshatin e vendlindjes të Naim Murselit, mirëpo kur e gjithë skena e krimit doli në dritë, prindërit e Liridonës kërkuan që bija e tyre të zhvarroset nga ai vend.

Kërkesa e tyre u pranua, dhe Liridona tani prehet në fshatin e lindjes së saj, në fshatin Rrecaj të Gjakovës.

Një numër i madh njerëzish kishin ardhur për ti dhënë lamtumirën e fundit Liridonës duke mos munguar as disa nga krerët e institucioneve shtetërore.

Kujtojmë se duke përfshirë edhe vrasjen e Liridonës, numri i grave të vrara në 13 vitet e fundit në Kosovë është 55.

Drejtësia ndaj këtyre rasteve në vendin tonë shpesh herë has në gjykime që me vite nuk përfundojnë, me rigjykime e me dënime të ulëta.

Sipas ligjit në Kosovë, për veprën penale të vrasjes, një person mund të dënohet nga dhjetë vjet burgim deri me burgim të përjetshëm.

Kritikat ndaj autoriteteve janë të vazhdueshme nga ana e organizatave vendore dhe ndërkombëtarë, që nuk po bëjnë mjaftueshëm për ndaljen e dhunës ndaj grave.

Ndërsa sot, është planifikuar që të mbahet një protestë gjithë popullore në sheshet e Prishtinës, për të kundërshtuar fuqishëm dhunën e vazhdueshme ndaj grave dhe vajzave në Kosovë./Arbresh.info/ Ejona Hyseni/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme