Cakolli: Gjykata nuk i dha veto komuniteteve, standardi kushtetues është i njëjtë për të gjithë

19:46 | 30 Shtator 2025
E.H

Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me procesin e konsitutimit të Kuvendit të Kosovës.

Sipas Cakollit, Gjykata nuk u ka dhënë komuniteteve asnjë veto shtesë por u konfirmua se se Kuvendi konsiderohet i konstituar vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe të gjithë nënkryetarët, transmeton Arbresh.info.

“Por kjo nuk nënkupton të drejtë të ndokujt për bllokadë. Përkundrazi, në të njëjtin vendim, Gjykata ua rikujtoi përgjegjësinë të gjitha palëve, përfshirë deputetët nga komuniteti serb, që të veprojnë në interes të Republikës. Pra, e drejta për të propozuar nuk mund të jetë mjet bllokimi apo shantazhi”, ka shkruar Cakolli në llogarinë e tij në Facebook.

Ndër të tjera, Cakolli theksoi se ajo cfarë tani po ndodh është sajesë për zvarritjen e formimit të institucioneve.

“Në të njëjtën logjikë, edhe nëse nuk do të votohej si nënkryetar ndonjë prej kandidatëve nga partitë shqiptare, Kuvendi do të konsiderohej sërish i pakonstituuar. Prandaj, nuk kemi të bëjmë me “privilegje të serbëve”, por me një standard që vlen për të gjithë – dhe që ka funksionuar pa probleme që nga pavarësia e këndej”, tha ai.

“Ajo çfarë po ndodh tani është sajesë e qartë për të zvarritur formimin e institucioneve. Ironia është se e gjithë kjo situatë, bashkë me diskursin e pritshëm kundër Gjykatës Kushtetuese, po vjen nga të njëjtët që ia mundësuan Listës Serbe rastin dhe “fitoren” në Gjykatë – me kalkulimet dhe arrogancën e tyre politike”, tha Cakolli./Arbresh.info

LEXO EDHE:

Kushtetuesja publikon vendimin: Seanca konstituive nuk ka përfunduar

Shpërndaje në rrjete sociale