Besim Sahatçiu nderohet për Vepër Jetësore, Blerta Zeqiri me Çmimin Vjetor

09:48 | 28 Gusht 2018

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, gjatë ditës së djeshme në kabinetin tij qeveritar, në një ceremoni solemne, ndau Çmimin Vjetor për Kinematografi dhe çmimin kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu” shkruan sot gazeta “Zëri”.

Çmimi Vjetor për Kinematografi për vitin 2017 iu nda regjisores Blerta Zeqiri, ndërsa çmimi kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu” në fushën e kinematografisë iu nda regjisorit Besim Sahatçiut – post mortum.

Sipas vendimit për ndarjen e Çmimit Vjetor për Kinematografi regjisores Blerta Zeqiri i ndahet shpërblimi në vlerë monetare prej dymijë e pesëqind eurosh. Ndërsa sipas vendimit për ndarjen e çmimit kombëtar për vepër jetësore për “Bekim Fehmiu” regjisorit Besim Sahatçiu – post mortum i ndahet shpërblimi në vlerë monetare prej 5 mijë eurosh.

Çmimet u shoqëruan edhe me nga një plaketë dhe nga një certifikatë të nënshkruara nga ministri Gashi. Prezentë për t’i pranuar çmimet ishin: bashkëshortja e Besim Sahatçiut, Besa Sahatçiu, regjisorja Blerta Zeqiri dhe disa nga anëtarët e jurisë, të cilit e bënë këtë përzgjedhje.

Fillimisht ministri Gashi uroi laureatët për çmimin, kontributin dhe punën e tyre të palodhshme në fushën e kinematografisë, duke ritheksuar prapë mbështetjen e tij dhe të Ministrisë që ai udhëheqë për artin, kulturën dhe trashëgiminë. “Ministria e Kulturës ka qenë e përkushtuar t’i ndajë të gjitha çmimet vjetore edhe në kinematografi, edhe në fushat e tjera të kulturës e trashëgimisë kulturore me të vetmin qëllim, që si Ministri e si Qeveri ta motivojmë më tutje punën kreative e performuese të të gjithë artistëve tanë dhe në këtë kontekst do të vazhdojmë të japim shpërblime e çmime. Jam tejet i lumtur që vendimmarrja e jurisë ka qenë e duhur dhe profesionale”, tha ndër të tjera Gashi. Juria profesionale e përbërë nga Ardiana Pajaziti, Isa Qosja, Fadil Hysa, Fatos Berisha dhe Kimete Berisha në sqarimet e arsyetimet e tyre në lidhje me përzgjedhjen e Blerta Zeqirit për çmimin në fjalë përmendën suksesin e jashtëzakonshëm që ka pasur filmi “Martesa” me pjesëmarrje në mbi njëzet festivale ndërkombëtare, ku është shpërblyer me çmime dhe me mirënjohje të shumta.

Ndërsa për regjisorin Sahatçiu dhe për veprimtarinë e tij kinematografike u tha se ajo konsiderohet themeltare e regjisurës kinematografike të Kosovës, që e avancoi atë në kinematografi konkurruese në nivel rajonal.

Nga veprimtaria e tij u përmend filmi “117” dhe ai “Era dhe Lisi”, që shënuan fillimin dhe konsolidimin e kinematografisë së Kosovës në vitet e ’70-a. Vitet e ’70-a dhe fillimi i viteve të ’80-a në artin e kinematografisë së Kosovës mund të konsiderohet periudha e regjisorit Besim Sahatçiu, i cili u bë frymëzim për brezin e ri të kineastëve të Kosovës.

Besa Sahatçiu, bashkëshortja e Besim Sahatçiut e cila pranoi çmimin, u tregua falënderuese për ndarjen e këtij çmimi në emër të saj dhe të familjes, duke u shprehur që për një kohë është ndier sikur veprimtaria e bashkëshortit të saj është lënë anash. “E përgëzoj Ministrinë, ju përgëzoj juve, si dhe krejt organizatorët për këtë mirënjohje të madhe. Shumë faleminderit! Në njëfarë mënyre mua si shoqja e tij më është dukur sikur është lënë anash. Përndryshe, ata kanë qenë miq, Besimi dhe Bekimi dhe kanë qenë kolegë të profesionit”, tha e emocionuar bashkëshortja e regjisorit.

Ndërsa regjisorja Blerta Zeqiri, e cila mori Çmimi Vjetor për Kinematografi, u shpreh shumë e lumtur dhe falënderuese ndaj atyre që e kanë zgjedhur dhe që po e vlerësojnë punën e saj. “Kisha pasur qejf që fillimisht t’ju falënderoj nga zemra, po ashtu komisionin që më ka përzgjedhur për këtë çmim dhe Ministrinë e Kulturës. Jo vetëm pse ky është një vlerësim i punës dhe i mundit që e kemi bërë, por edhe është kënaqësi e madhe të vlerësohesh. Jam shumë e lumtur”, theksoi Zeqiri.

Ajo foli edhe për vendimin e Ministrisë së Kulturës për të rritur buxhetin e Qendrës Kinematografike të Kosovës, duke u shprehur shumë e lumtur për këtë fakt dhe që institucionet në Kosovë më në fund po e shohin rëndësinë e zhvillimit të kësaj fushe, duke pasur parasysh që tani është rritur numri i filmave që po arrijnë sukses ndërkombëtar.

Kujtojmë se sipas rregullores së kësaj Ministrie, që ka hyrë në fuqi prej vitit 2014, këto çmime është dashur të ndahen më 1 qershor, në ditëlindjen e aktorit “Bekim Fehmiu”, emrin e të cilit bart edhe çmimi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara