Bajrami i reagon Muratit për 90 milionët e Bankës Botërore: Mos dezinformo, bllokuesit jeni ju

11:06 | 23 Qershor 2025
E.G

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami i ka reaguar të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, lidhur me mosratifikimin e marrëveshjes prej 90 milionë euro nga Banka Botërore.

Me anë të një postimi në Facebook, Bajrami e akuzon Muratin dhe partitë e tij si bllokues të procesit politik dhe për keqmenaxhim të fondeve ndërkombëtare.

“Hekuran mos dezinformo. Bllokuesit jeni ju. Me 48 deputetë, e keni ngujuar vetën dhe vendin politikisht rreth një kandidateje për kryetare të Kuvendit, për të cilën nuk i keni votat”, ka shkruar deputetja Bajrami.

Mes të tjerash ajo e akuzon qeverinë për “qeverisje arrogante dhe destruktive” që sipas saj ka penguar shfrytëzimin e granteve të Bashkimit Evropian.

“Qindra miliona euro grante nga BE-ja nuk janë shfrytëzuar prej dy vitesh, pikërisht për shkak të masave ndëshkuese që kanë ardhur si pasojë e qeverisjes suaj”, ka shtuar ajo.

Bajrami përmendi edhe situatën në KEK, konkretisht tymin e zi i cili u lirua sot nga Kosova A.

“A i ke parë sot tymtarët e KEK-ut çfarë po nxjerrin? Pse nuk flet për grantin e BE-së rreth 70 milionë euro për investime në KEK, kryesisht për filtrat, mjete që nuk erdhën për shkak të masave ndëshkuese të BE-së”, u shpreh ajo.

Bajrami shprehet se qeveria ka shkatërruar këtë vend , duke e kritikuar për përpjekjet për të shmangur përgjegjësinë për dështimet e vazhdueshme në katër vitet e fundit./Arbresh.info/

Ndryshe, ministri në detyrë, Hekuran Murati tha se janë 90 milionë euro të alokuara nga Banka Botërore për Kosovën, të cilat po presin ratifikimin nga Kuvendi që nga muaji maj i vitit të kaluar.

Sipas tij ky lloj financimi është i veçantë, sepse ka kamatë 0% duke shtuar se bllokada në Kuvend mund të qojë në humbjen e këtyre të hollave./Arbresh.info/

LEXO EDHE:

Murati: Kosova rrezikon të humbas 90 milionë euro nga Banka Botërore shkak i bllokadës në Kuvend