Agim Veliu: Vjosa Osmani nuk përfaqëson votuesit tonë, LDK s’ka qenë kurrë në zemrën e saj

13:32 | 12 Dhjetor 2020

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, në një intervistë të shkurtër për Gazetën Express u ka dhënë përgjigje të gjitha akuzave të Vjosa Osmanit të bëra mbrëmë në një intervistë në Televizionin Publik të Kosovës.

Veliu ka thënë se Vjosa Osmani s’përfaqëson votuesin e Lidhjes Demokratike të Kosovës meqë nuk është në këtë parti, dhe sipas tij kryekuvendarja asnjëherë s’ka qenë me zemër në partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova. Veliu thotë se Osmani në LDK ka qëndruar vetëm për interesa të saj dhe se tashmë fatin e saj politik e ka lidhur me dikë tjetër.

Vjosa Osmani ka bërë mbrëmë goditjen e radhës ndaj partisë e cila ia besoi kandidaturën për pozitën e kryeministres. Ajo tha se kësaj partie tashmë i ka mbetur vetëm logoja dhe se votuesit i përfaqëson vetë ajo. Poashtu ajo ka akuzuar LDK-në edhe se është shndërruar në një parti përjashtuese, duke përjashtuar çfarëdo bashkëpunimi, meqë sipas saj, LDK ka mbajtur në pushtet partitë që e kanë kapur Kosovën.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu ka thënë për Express, që si Vjosa Osmani kanë menduar edhe shumë njerëz të tjerë që kanë tentuar që ta shkatërrojnë këtë parti.

Madje Veliu shkoi edhe më tej duke thënë që Osmani në LDK ka qëndruar vetëm për interesa personale.

“Edhe tjerë para Vjosa Osmanit kanë menduar që LDK-së i ka mbetur vetëm logoja dhe kanë dashur që ta shkatërrojnë gjatë gjithë kohës por nuk ia kanë arritur. Sigurisht që nuk ka qenë kurrë në zemrën e Vjosës LDK-ja. Vjosa në LDK ka qëndruar vetëm për interesa dhe tash sigurisht që këto interesa i ka lidhur me dikë tjetër dhe nuk i duket më interesant LDK-ja”, ka thënë nënkryetari i LDK-së.

Ish-kandidatja e LDK-së për kryeministrie, sipas Agim Veliut, në këtë pozitë ka ardhur pa merita. Kjo pasi që sipas tij ajo nuk është rritur në frymën e LDK-së.

“Njerëzit e tillë nuk kanë qenë kurrë me shpirt e me zemër në LDK dhe njerëzit që kanë ardhur pa merita ata nuk e ndjenjë LDK-në dhe nuk janë rritur me frymën e LDK-së dhe nuk e kanë frymën e LDK-së”, ka thënë Veliu.

Për nënkryetarin e LDK-së, Vjosa Osmani nuk është përfaqësuese e elektoratit të LDK-së, pasi që sipas tij ajo gjithherë ka punuar në interesa të tjetër kujt.

“Jo në asnjë mënyrë. Elektoratin e LDK-së nuk mund ta përfaqësoj dikush që nuk është në LDK dhe që thotë me LDK-në nuk bëj, nuk dua, LDK-ja kështu, LDK-ja ashtu dhe dikush që vazhdimisht e sulmon LDK-në për interesa të tjetër kujt si mund ta përfaqësoj elektoratin e LDK-së”, ka pohuar ai.

Sipas Veliut, Osmani LDK-në nuk e ka mbështetur madje as gjatë kohës së bisedimeve.

“Ajo gjatë gjithë periudhës ka punuar për tjetër kënd. Gjatë bisedimeve është angazhuar për tjetër kë. Ajo e ka lidh fatin tashmë me dikë tjetër dhe LDK-ja për të më nuk është interesante”, ka deklaruar ai.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ka kundërshtuar çdo bashkëpunimin me ish-partinë e saj, LDK-në, derisa ka vazhduar me akuza ndaj tyre.

Osmani në televizionin publik i ka quajtur “përjashtues” LDK-në, teksa i ka akuzuar edhe për mbajtje të pushtetit me zor. Ka thënë se kësaj partie i ka mbetur vetëm logoja, ndërkohë që ka shtuar se votuesit i përfaqëson ajo.

“Nuk do të bashkëpunojë me parti që kanë kontribuar për kapjen e shtetit dhe që kanë ndihmuar të qëndrojnë në pushtet kapësit e shteti”, ka deklaruar Osmani

Lajmet më të lexuara