Aeroporti i Vlorës, Pacolli: Veprim i dhunshëm, primitiv e brutal e mafioz i Valon Ademit, Vegim Hoxhës dhe Bujar Ejupit

16:05 | 19 Maj 2026
E.G

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar ashpër lidhur me zhvillimet e fundit në kantierin e Aeroportit të Vlorës, duke akuzuar Valon Ademin dhe përfaqësues të kompanisë VIA për veprime të dhunshme dhe të jashtëligjshme ndaj kompanisë Mabco dhe nënkontraktorëve të saj.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli tha se ndërhyrja e policisë në mbështetje të, siç e quajti ai, “padrejtësisë”, është në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, duke cenuar rëndë të drejtat e njeriut dhe të punëtorëve, shkruan Arbresh.info.

Ai akuzoi Valon Ademin, Vegim Hoxhën dhe Bujar Ejupin për veprime “primitive, brutale dhe mafioze”, ndërsa pretendoi se po tentohet të justifikohen përmes një kontrate që Mabco e ka kallëzuar në Prokurorinë Penale të Tiranës që më 8 janar 2025.

Sipas Pacollit, kontrata në fjalë dhe tri kontrata të tjera të kompanisë 2A janë nënshkruar nga Valon Ademi dhe Valon Lluka pa dijeninë dhe autorizimin e Mabco-s, ndërsa më pas janë post-datuar në mënyrë të paligjshme me data të vitit 2022.

Pacolli thotë se këto kontrata janë përdorur për mashtrime financiare ndaj bankës BKT, shtetit shqiptar dhe vetë Mabco-s, duke përfshirë fryrje artificiale të investimeve, përfitime të paligjshme nga TVSH-ja dhe manipulime me vlerën e punimeve.

Në fund të reagimit, ai u bëri thirrje institucioneve shqiptare dhe organeve të policisë që të respektojnë vendimet e Gjykatës së Apelit dhe të mos pengojnë hyrjen e punëtorëve të nënkontraktorëve të Mabco-s në vendet e tyre të punës, duke paralajmëruar se çdo veprim ndryshe përbën shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe të pronës./Arbresh.info