Abdixhiku: Sakrifica është akti më madhështor që formon fatin e një kombi

11:30 | 5 Mars 2026
E.G

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në seancën solemne të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, theksoi se në momentet vendimtare popujt nuk maten me numra apo territore, por me shpirtin dhe gatishmërinë për sakrificë.

Ai tha se këto prova të thella morale shtrojnë një dilemë sot thjesht, aq edhe të rëndë për shumë gjenerata. Dilemën dhe pyetjen se për çfarë është një popull i gatshëm të jetojë dhe çfarë është i gatshëm të sakrifikojë.

“Në ato çaste, popujt nuk maten më me numra, nuk maten as me territore, edhe më pak me forcë luftarake. Ata maten me shpirtin e tyre, me gatishmërinë për të mbrojtur atë që e konsiderojnë të shenjtë, më të shenjtë sesa veten e tyre. Në ato çaste vendimtare, historia kërkon njerëz që janë në lartësinë e saj. Njerëz që e kuptojnë se jeta e tyre nuk u përket më vetëm atyre, por është e destinuar për një fat shumë më të madh kombëtar”, theksoi Abdixhiku.

“Ata janë njerëz që ndoshta lindin si të gjithë të tjerët, jetojnë si të gjithë të tjerët, porse në momentin e provës epokale ngrihen mbi frikën, mbi instinktin e mbijetesës që mund ta ketë secili prej nesh dhe bëhen bartës të një përgjegjësie shumë më të madhe se vetë jeta e tyre. Pra thënë shkurt sakrifikohen. Tani sakrifica është akt madhështor, në fakt është akti më madhështor që qenia njerëzore në tokë, por edhe në raportin e saj me hyjnoren, pra me vetë Zotin, arrin ta ndërtojë. Sepse sakrifica nuk është vetëm akt i luftës, ajo është një filozofi e vetë jetës. Në këtë kuptim, sakrifica nuk është humbje. Ajo është një formë e rrallë e krijimit. Sepse përmes saj lind kuptimi më i thellë i një populli për vetveten“, tha Abdixhiku.

“28 vjet më parë, mes thirrjeve monumentale të brezave nëpër histori, në këtë familje shqiptare, në familjen Jashari, Adem Jashari, Hamëz Jashari, Shaban Jashari dhe 56 anëtarë të tjerë të familjes, të afërm dhe bashkëluftëtarë, ranë në altarin e lirisë, duke dhënë vendin jo vetëm në histori të sakrificës, por edhe një thirrje nacionale për përmbushjen e një rrugëtimi që s’mund të ndalej më”.

I pari i LDK-së tha se Adem Jashari, para së gjithash një njeri i një vendi të shtypur, ishte një njeri i një toke jo të lirë, i një shtëpie shumë fisnike dhe i një familjeje me një kujtesë të trashëguar.

“Në botën e përditshmërisë së tij, aty ku rrëfimet për qëndresën e brezave të mëparshëm përziereshin me jetën e përditshme të brezit të tij, historia nuk ishte diçka e largët. Ajo ishte një prani e vazhdueshme, e pranishme mes një ode të një kulla me plot miq. Mbi atë prani të vazhdueshme e të pranishme u krijua edhe Ademi”, shtoi ai.

Të ngjashme