“Nuk mund t’ia japim kryeparlamentarin partisë me tre deputetë”, Kurti tregon se pse nuk arriti marrëveshje me Limajn

20:53 | 20 Maj 2025
E.G

Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, ka komentuar takimet me kreun e NISMA-s, Fatmir Limaj, të cilat i përshkroi si konstruktive dhe me rritje të besimit të ndërsjellë.

Kurti tha se është mirë që Limaj më Nismën është kthyer në Kuvendin e Kosovës dhe se kjo parti do të duhej të ishte parti simotër me Lëvizjen Vetëvendosje.

Madje Kurti tha se Nisma në koalicion me AAK-në e ka ndihmuar partinë e Ramush Haradinajn ta kalojë pragun zgjedhor.

“Është lajm që Fatmir Limaj, komandant Çeliku siç njihej gjatë luftës, është kthyer në Kuvendin e Republikës, që Nisma Socialdemokrate, që duhej të jetë parti simotër me VV-në, i ka tre deputetë në Kuvend, por le të mos harrojmë një gjë tjetër: jo vetëm që u rikthye Fatmir Limaj në Kuvend, por njëkohësisht ia mundësoi AAK-së ta kalojë pragun. Pa Nismën, AAK-ja kësaj radhe do të ngelej nën prag. Nisma Socialdemokrate është në Kuvendin e Republikës. Unë kam pasur takime me Limajn. Takimet kanë kaluar në një atmosferë ku është rritur besimi, ku është rritur mirëbesimi, vullneti për bashkëpunim. Mirëpo, ku nuk ka pasur mosmarrëveshje, thjesht për shkak të një insistimi, parakushti, madje as kushti, për bashkëpunim në të ardhmen për pozitën e kryeparlamentarit. Tash unë jam në koalicion parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa. Një partie me tre deputetë t’ia japim kryeparlamentarin, kur e kam një parti që është dyfishi për nga numri i deputetëve, kjo e dëmton pariparueshëm arkitekturën e marrëveshjes paraprake që VV e ka me Guxo dhe Alternativa. Nuk ishte një gjë e mundur.”, tha ai në RTK.