“Nuk harrohet gjaku i shqiptarëve”, mërgimtari nga Gjermania çdo vit përkujton Masakrën e Reçakut, lavdëron Kurtin

17:18 | 15 Janar 2025
E.G

Kosova shënon sot 26-vjetorin e Masakrës së Reçakut ku më 15 janar 1999, në këtë fshat forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Një mërgimtar që jeton në Gjermani prej 36 vitesh, ka ndarë emocionet e tij për mediumin Arbresh.info,  ai thotë se vjen në Kosovë çdo vit për të përkujtuar Masakrën e Reçakut.

Ai shprehet se kur e viziton këtë vend, ndjen mallëngjim dhe se lotët nuk ndalen, duke përmendur dhimbjen për viktimat e pafajshme që u masakruan nga forcat serbe më 1999.

“Këtu ndjejë mallëngjim dhe lotët nuk ndalen kur e sheh këtë vend, ku i kanë masakruar këtë njerëz të pafajshëm, por shyqyr nga Perëndia na erdhi liria ishalla e gëzojmë këtë liri që e kemi sot në krye me Albin Kurtin. Unë çdo vit vij në Reçak çdo vit. Këto viktima nuk harrohen, nuk i harron populli shqiptar. Nuk harrohet gjaku i shqiptarëve. Këta të parët tonë që kanë qenë para Albin Kurti nuk kanë bërë asgjë për popullin e Kosovës, por tash në Qeveri e kemi Albinin, rrënoftë Albin Kurti  e dhashë Zoti që ky vend të ec përpara, thotë ai.

Ndryshe, në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.

Masakra në Reçak tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën.

Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq./Arbresh.info