Tri ditë pasi delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës shpallën Deklaratën Kushtetuese, në ambient të pazakonshëm, para portave të institucionit ku thuhet se artikulohet zëri i popullit, pushteti serb i Millosheviqit ndërmori hapin hakmarrës – forcërisht ndërpreu transmetimet e Radio Televizionit të Prishtinës dhe ndaloi “Rilindjen”, fjala e të cilës kishte pushtet të pakontestueshëm.
Ishte 5 korriku i vitit 1990, kur policë serbë hynë në studiot e TV dhe Radio Prishtinës dhe forcërisht ndërprenë transmetimet. Në të njëjtën kohë policët u futën edhe në ambientet e punës, ku përgatitej gazeta “Rilindja”, prej nga ndoqën gazetarët e kërcënuan redaktorët.
Ndërsa në RTV Prishtina pushteti i dhunës serbe instaloi redaktorë e përkthyes të vet, të dëgjueshëm, ndërsa shqiptarët nuk i la më të hynin as në objekte, gazetarët e “Rilindjes” vazhduan në kushtet e presionit e të dhunës policore të përgatisnin gazetën, e cila vazhdoi kështu deri më 7 gusht të atij viti, kur numri i saj u nxor nga rotacioni. Dalja e saj do të vazhdojë me emra të botimeve të shtëpisë “Rilindja”, që nuk ishin përfshirë në ligjin e Serbisë që ndalonte botimin, si “Zëri…”, “Fjala”, “Shkëndija”, “Gazeta e pionerit”, “Pioneri”, “Bati”, që t’i rikthehej emrit autentik në kohën kur lufta e UÇK-së kundër forcave serbe kishte marrë përmasa kryengritëse, më 22 shkurt të vitit 1999, për t’u ndërprerë sërish më 23 mars të atij viti.
RTV Prishtina vazhdoi punën nga “ekzili”, nga RTV Zagrebi e pastaj RTSH-ja, në Tiranë.
Të dy këto mediume rinisën punën në Prishtinë menjëherë pas përfundimit të luftës. Ndërsa RTV Prishtina u riemërua RTV Kosova dhe vazhdon punën si transmetues publik, “Rilindja” pas një pune me ndërprerje nuk del më që nga viti 2008.
Numri i parë i “Rilindjes” u botua në vitin e largët 1945 (12 shkurt), sikundër edhe Radioja, që të dyja në Prizren, që atëherë ishte kryeqyteti i Kosovës, për t’u transferuar më pastaj në Prishtinë, që u shpall kryeqytet.
Berisha shkruan për vdekjen e Qosjes: Pavarësisht kundërshti...
Gashi: Zgjedhjet e janë të shmangshme, partitë opozitare duh...
Gjermania kërkon heqjen e votimit unanim në BE, çfarë do të ...
Afati po skadon, ende s`ka marrëveshje për president
Tragjedi në Gjakovë, një person vdes në vendin e punës
Trump: Po shënjestrojmë anije që vendosin mina, Hormuzi ësht...