Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kujtuar 26-vjetorin e masakrës së Mejës.
Sot, në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur, Abdixhiku ndërlidhi që të dy ngjarjet, dhe tha se Kosova vazhdon të thërrasë për drejtësi dhe zbardhje të fatit të 1617 qytetarëve të zhdukur në luftën e fundit, shkruan Arbresh.info.
“Më 27 prill 1999, Kosova përjetoi një nga plagët më të rënda në historinë e saj, Masakrën e Mejës. Në atë ditë të rëndë, 376 civil shqiptarë, u morën mizorisht nga jeta nga forcat policore e ushtarake serbe, në një akt barbar që ka lënë dhimbje të pashuar në shoqërinë tonë. Aparati shtetëror serb organizoi izolimin e mbi 15 fshatrave, duke grumbulluar dhe ekzekutuar djemtë e burrat tanë para syve të familjarëve të tyre, në një pamje që as koha nuk do të mund ta fshijë nga kujtesa jonë. Dhimbja e të gjitha atyre familjeve është dhe dhimbje e jona; por mbi të gjitha është rikujtim i vuajtjeve të popullit të Kosovës për lirinë e sotme. Sot, gjithandej Kosovës japim nderimet e tona për civilët e vrarë e dëshmorët e rënë. Çmimi i lirisë së Kosovës ka qenë çmim i vet jetës – sikurse i 376 civilëve të Mejës”,ka shkruar Abdixhiku.
“Sot, kemi dhe një detyrim shtesë. Në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur në Kosovë, vazhdojmë të thërrasim për drejtësi dhe zbardhjen e fatit të 1617 qytetarëve tanë të pagjetur. Kosova s’mund të ecë përpara pa gjetjen e qetësisë për familjarët e të pagjeturve. Lavdi përjetësisht dëshmorëve të Masakrës së Mejës dhe të gjithë të rënëve gjithandej Kosovës!”, ka shtuar ai./Arbresh.info/
Parlamenti Evropian publikon draft-rezolutën për Shqipërinë
Bleona Qereti kërkon liri për Hashim Thaçin, e quan “idiot” ...
Rama drejt Bordit të Paqes, del fotoja e parë nga Washington...
Gjykata në Gjilan i zëvendëson paraburgimin me arrest shtëpi...
Arrestohen katër persona për shitjen e paligjshme të një pro...
Dy shkelje të rënda në trafik, gjoba deri në 500 euro dhe ma...