Sot janë bërë 20 vjet nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova.
Ai vdiq më 21 janar 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë.
Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e profesor Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984.
Në vitin 1996 ai u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën “Fjala”.
Për afro dy dekada, Rugova veprimtarinë shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike” të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.
Më 1988, ai u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare kundër sundimit komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.
Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e tij, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.
Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumë-partiake për Kuvendin e Kosovës, më 24 maj 1992.
Doktor Ibrahim Rugova u zgjodh president i Republikës së Kosovës. Ai u rizgjodh në këtë post në zgjedhjet e mbajtura në mars 1998.
Nën udhëheqjen e tij, LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor 2000, si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK fitoi edhe zgjedhjet nacionale më 2004.
Doktor Ibrahim Rugova u zgjodh president i Kosovës në mars 2002 dhe u rizgjodh më 2004.
Në përvjetorin e vdekjes më 21 janar 2007, asokohe presidenti Fatmir Sejdiu, dekoroi presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vend që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
Begaj përkujton 106-vjetorin e Kongresit të Lushnjës: Moment...
50 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë
Kadetët e FSK-së trajnohen për mbijetesë në kushte dimërore
Liverpooli përgatit goditjen e madhe, synon yllin e madh ang...
Rama përkujton 21 Janarin: 15 vjet nga një krim shtetëror i ...
Hoti për Rugovën: Në kohë të errëta, zgjodhi mençurinë mbi u...