Si krijohet orteku i borës dhe pasojat e tij

08:24 | 28 Janar 2019

Orteku ose Reshpja është grumbull i madh bore, që shkëputet nga malet e larta, rrokulliset teposhtë dhe sa vete e bëhet më i madh, duke shkatërruar ç’gjen përpara. Orteqet janë dukuri natyrore, të rrezikshme për mjedisin.

Në botë ortekët njihen si “dragonjtë e bardhë” ose “vrasësit e vrullshëm” për shkak se kanë zënë shumë persona, duke i dërguar drejt vdekjes.

Ortekët mund të krijohen në shpate malore nga bora e rënë në formë kristalesh, topthash dhe kokrrizash.

Ndryshimet në temperaturën e ajrit dhe presioni që krijohet nga grumbullimi i dëborës, bëjnë që kristalet të zvogëlohen teksa zënë vend në tokë. Brenda vetëm 24 orëve, 30 centimetra borë e porsarënë mund të ngjishet deri në 10 centimetra.

Lloji i dëborës, sasia e rënë, pjerrtësia e terrenit, ndryshimi i temperaturës dhe forca e erërave, të gjitha këto përcaktojnë nëse një ortek do të vihet në lëvizje ose jo. Një ortek mund të nisë rastësisht edhe nga pesha e një njeriu ose e një kafshe.

Gjithsesi, ekzistojnë edhe lloje të tjerë ortekësh ndërsa më të rrezikshmit janë ata të cilët krijohen nga grumbullimi i dëborës së vjetër që është ngjeshur me kalimin e kohës. Kur thyhet shtresa e sipërme e dëborës, copa të mëdha akulli mund të rrëshqasin poshtë shpatit të malit, me shpejtësi 50 dhe 80 kilometra në orë.

Gjithashtu ortekët e erës krijohen kur një përzierje dëbore e porsarënë që përbëhet nga flokë kristali dhe kokrriza, lloji i dëborës si pluhur që pëlqehet nga skiatorët, shpërndahet në ajër nga një shkulm i fortë ere.

Duke qenë e lehtë, dëbora ngrihet në ajër dhe mund të bjerë poshtë në luginë me një shpejtësi mbi 300 kilometra në orë. Në këtë rast, presioni i ajrit që i paraprin masës së borës, rritet kaq shumë, saqë orteku mund të shkulë çatitë, madje edhe t’i rrënojë shtëpitë brenda disa sekondash.

Ortekët mund të parashikohen me paralajmërimin e ndryshimeve klimatike në zona të caktuara, por rreziku asnjëherë nuk është i evitueshëm.

Skiatorët, alpinistët dhe banorët e zonave të thela malore duhet të presin derisa shpatet e maleve të kontrollohen për të parë nëse janë të sigurta.

Gjithashtu, duhet të vendosen shenja paralajmëruese në zonat ku rrezikshmëria nga ortekët është më e lartës.

Rreziku nga ortekët mund të minimizohet nëse mbillen pemë, duke rritur stabilitetin e shpateve dhe duke ndihmuar për të zvogëluar dëmtimet më tej në luginë.

Ndryshe,dje si pasojë e një orteku të borës në Brezovicë vdiq, Arian Daci, zëvendësministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, njëkohësisht djali i kryetarit të Akademisë së Shkencave, Nexhat Daci, derisa sot iu dha lamtumira e fundit.

Në ceremoninë e varrimit në varrezat e qytetit të Prishtinës morën pjesë, familjarë të Dacit, dashamirë, miq e qytetarë. Pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, bashkë me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në nder të zëvendësministrit Daci, gjatë ditës së sotme janë mbajtur homazhe në hollë të Kuvendit të Kosovës dhe mbledhje komemorative në Teatrin Kombëtar të Kosovës, e organizuar nga zyra e kryeministrit të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara