Presidentja Osmani: Bullgaria është një mbështetëse e madhe e Kosovës

14:11 | 30 Nëntor 2022

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka nisur vizitën zyrtare në Bullgari ku po qëndron me ftesë të homologut Rumen Radev, nga i cili është pritur me nderime të larta shtetërore.

Osmani i cilësoi si të shkëlqyeshme marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet të dyja vendeve ndërkaq potencoi se Kosova mund të përfitojë shumë nga përvoja e Bullgarisë në procesin e integrimit euroatlantik.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se në këtë kontekst, Osmani ka kërkuar mbështetjen bullgare për Kosovën në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe e më pas në NATO, sikurse edhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Teksa ka folur për zhvillimet në Kosovë, rajon e më gjerë, Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për paqe, siguri dhe sundim të ligjit në gjithë territorin e Republikës.

Ajo ka thënë se me zhvillimet e fundit në veri të vendit, Serbia po tenton ta destabilizojë Kosovën, duke përdorur strukturat e saj ilegale.

Megjithatë, sipas Presidentes Osmani, Kosova vazhdon të luajë rol konstruktiv në dialogun me Serbinë, i cili duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke.

Në një pjesë të takimit, Osmani e ka folur me homologun Radev për krizën energjetike me të cilën po përballet Kosova, rajoni dhe Evropa, duke u angazhuar për një përgjigje të përbashkët ndaj sfidave në këtë sektor.

Bullgaria është shprehur e gatshme ta mbështesë Kosovën në përballje me krizën energjetike dhe të dy palët janë pajtuar që të gjinden modalitetet për bashkëpunim dhe mbështetje nga një grup i përbashkët ndërministror i të dy shteteve.

Osmani në takim me homologun Radev ka theksuar se Kosova ka shënuar përparim në fushën e sundimit të ligjit dhe si një shoqëri multietnike, e cila i trajton në mënyrë afirmative të gjitha komunitetet.

Në takimin e të dy presidentëve, ndër të tjera është diskutuar edhe për forcimin e bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, sigurisë, arsimit e shëndetësisë, sikurse edhe në sfera të tjera të interesit të dyanshëm./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale