Ujkani: BE-ja ka plan ta ndihmojë Ballkanin me 9 milionë €, Qeveria s’ka informacion

09:26 | 22 Janar 2021

Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian, Emrush Ujkani,  tha se Bashkimi Evropian ka në plan të investojë në Ballkanin Perëndimorë 9 milionë euro.

Por për ndarjen e këtyre mjeteve, thotë ai nuk kanë informata në Qeverinë e Kosovës. Ujkani thotë se ka zhvilluar takim me përfaqësues të BE-së ku ka marrë konfirmim për ndarjen e këtyre mjeteve, e më pas është takuar edhe me përfaqësues institucional të cilët nuk ishin në dijen.

“Ky është fakt dhe na ka konfirmuar BE atëherë është për tu shqetësuar fakti kur paralel me takimin tonë kishim takim edhe me Qeverinë sepse nuk kanë informata shumë për atë plan 9 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor. Prandaj të mos kesh informata mendoj që është për të ardhur keq. Nëse do të ketë mobilizim edhe nga kjo Qeveri nuk është vonë. Dhe jam i sigurt se do të ketë mekanizma për t’i adresuar pasojat e Covid-19 dhe na mbetet të bëjmë punë se çka është interes nacional i vendit”.

Madje sipas tij, është shqetësuese që institucionet e vendit nuk kanë treguar interes karshi ndaj planit për investime ekonomike të prezantuar nga BE-ja, ngase ai thotë se varet sa vendet e Ballkanit do të punojnë për të bindur BE-në që kanë nevojë për ato mjete.

“Të gjitha këto kërkojnë punë dhe në këtë fazë dyshoj që dikush ka interes nga institucionet t’i shtyjë përpara që i konsiderojmë si akterë relevant. Me ato që kemi ne në dispozicion është i pamundur për t’i adresuar të gjitha ato qasje. Mua më vjen keq për opinionin publik dhe sektorin privat që përkundër asaj që Bashkimi Evropian e lansoi atë çka njihet si plani për investime ekonomike i BE-së për 2021-2027 ende nuk ka pasur një ngritje të vetëdijes për të pasur fokus ato”.

“Ne duhet të kemi parasysh se BE-ja mbështet vendin tonë dhe organizata të tjera, por mbi bazën e programeve adekuate. Ne rrezikojmë që kur vjen puna te ndarja e këtij buxheti të jemi shumë të vonë dhe të papërgatitur. Plani i investimeve ekonomike mendohet që do të jetë i ndarë në bazë të një llojë meritokracie sepse do të varet sa vendet e Ballkanit do të punojnë për të bindur BE-në që kanë nevojë për ato”.

Ujkani ka shtuar se hyrja në fushatën elektorale po i pengon institucionet në vend në fokusimin dhe zbatimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Madje ai ka thënë se Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike ka nevojë të punohet deri kur nisë së zbatuari.

“Ligji për rimëkëmbje ekonomike unë mendoj që ka nevojë të punohet deri në zbatimin e tij. Në periudhën kohore në të cilën jemi dhe duke marrë parasysh se po hyjmë në fushatë elektorale unë nuk pres që të ketë fokus në to”.

“Së paku ne si këshill i investitorëve evropian nuk jemi shumë të informuar për këto zhvillime për një punë që nuk u bë ose për masat që janë duke ndërmarrë për ta përgatitur planin për implementimin e ligjit për rimëkëmbje ekonomike”./EO/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara