Zjarr në fabrikën e materialeve kimike në Indi, 18 të vdekur

08:56 | 8 Qershor 2021

Së paku 18 persona kanë vdekur nga një zjarr që shpërtheu në një fabrikë të materialeve kimike në periferi të qytetit perëndimor indian, Pune.

Rreth 40 punëtorë mbetën të ngujuar brenda ndërtesës, kur zjarri filloi të hënën rreth orës 15 e 45 minuta sipas kohës lokale, shkruan BBC.

Zjarrfikësit shkuan me nxitim në vendin e ngjarjes përderisa tymi shihej në qiell. Zjarrfikësit u detyruan që t’i thyejnë muret e fabrikës për t’i shpëtuar punëtorët e ngujuar. Zyrtarët thanë se shkaku i zjarrit ende nuk dihet.

Fabrika që u përfshi nga zjarri është në pronësi të kompanisë “SV Aqua Technologies”, e cila merret me prodhimin e produkteve me dyoksid të klorit, që zakonisht përdoret në trajtimin e ujit.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, shprehu ngushëllime për vdekjen e punëtorëve dhe njoftoi se secila familje do të dëmshpërblehet me nga 200 mijë rupi (rreth 2.800 dollarë amerikanë).

Qeveria lokale në Maharashtra, ku ndodhet fabrika e djegur, gjithashtu njoftoi dëmshpërblim prej 6.800 dollarësh për familjet e viktimave./express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara