Zelensky: Ukraina, gati të ndajë përvojën e saj kundër raketave dhe dronëve iranianë

22:10 | 1 Mars 2026
E.H

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Ukraina është e gatshme të ndajë përvojën e saj në mbrojtjen kundër raketave balistike iraniane dhe dronëve Shahed, me vendet që e ndihmuan atë të mbrohej nga pushtimi rus.

“Situata në Lindjen e Mesme tregon se sa e vështirë është të ofrosh mbrojtje 100 për qind ndaj raketave dhe dronëve Shahed”, tha ai përmes një video-mesazhi më 1 mars.

Gjatë ditës, Irani sulmoi nga ajri Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vende të tjera.

“Tani, të gjithë mund të shohin se përvoja jonë në mbrojtje është, në shumë aspekte, e pazëvendësueshme. Jemi të gatshëm ta ndajmë këtë përvojë dhe t’i ndihmojmë ato vende që e ndihmuan Ukrainën”, shtoi Zelensky.

Teherani ka qenë prej kohësh aleat i Rusisë, duke e furnizuar atë me pajisje dhe teknologji ushtarake.

Zelensky ka thënë më herët se ushtria ruse ka përdorur së paku 57.000 dronë Shahed në sulme kundër vendit të tij./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme