Trishtim ka përfshirë botën arabe pas ndarjes nga jeta të princit saudit Al-Ualid bin Khaled bin Talal, i njohur nga mediat ndërkombëtare si “Princi i Fjetur”.
Ai ndërroi jetë të shtunën në moshën 36-vjeçare, pas një periudhe dramatike prej më shumë se dy dekadash në koma.
Princi i ri saudit u përfshi në një aksident të rëndë rrugor në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2005, ku kishte shkuar për të ndjekur studimet në një akademi ushtarake.
Aksidenti i shkaktoi dëmtime të rënda në kokë, duke e lënë në një gjendje të pandërgjegjshme që prej moshës 15-vjeçare.
Pas aksidentit, Al-Ualid u transferua në Spitalin Mjekësor King Abdulaziz në Riad, ku u trajtua për 21 vjet nga ekipe mjekësore të specializuara. Pranë tij qëndruan gjithmonë prindërit e përkushtuar, princi Khaled bin Talal Al Saud dhe princesha Rima, të cilët nuk humbën kurrë shpresën për një mrekulli.
Në deklaratat e saj të mëparshme, princesha Rima shprehej se “shpirti i djalit të saj ishte ende i pranishëm”, ndërsa i ati, princi Khaled, refuzoi kategorikisht të lejonte shkëputjen e tij nga aparatet që e mbanin gjallë. “Fuqia Hyjnore që e mbajti gjallë mund edhe ta shërojë një ditë”, kishte thënë ai.
Për më shumë se dy dekada, princi mbijetoi me ndihmën e aparaturave për frymëmarrje dhe u ushqye përmes një tubi.
Shpresa për një rikuperim të mundshëm u ringjall në vitin 2019, kur ai reagoi me disa lëvizje të lehta, si ngritja e një gishti apo lëvizja e kokës, por fatkeqësisht, nuk doli kurrë nga koma.
Më 18 prill të këtij viti, ditëlindja e tij e 36-të, që do të ishte edhe e fundit, u shoqërua me një valë urimesh, lutjesh dhe mesazhesh shprese nga miliona ndjekës në rrjetet sociale, që e konsideronin princin një simbol të besimit dhe durimit të palëkundur, sipas Roya News.
Në të njëjtën ditë, nëna e tij, princesha Rima bin Talal, publikoi disa fotografi të të birit në platformën X, shoqëruar me fjalët prekëse.
“I dashuri im Al-Ualid bin Khaled, 21 vite pas (aksidentit) je ende i pranishëm në zemrat tona dhe në lutjet e të gjithë atyre që të duan. O Zot, shëroje robin Tënd Al-Ualid. Askush nuk e njeh dobësinë e tij përveç Teje, O Zot i qiejve dhe i tokës”, shkroi ajo.
Trump i dërgon letër Osmanit: Mezi pres ta vazhdoj bashkëpun...
Kaluan ilegalisht kufirin, arrestohen dy serbë në Leposaviq
Mediumi turk: Fenerbahçe ka arritur marrëveshje me Vedat Mur...
Sa do të kushtojë nafta dhe benzina? Publikohen çmimet
Ambasadori amerikan në NATO viziton Kosovën, Policia njofton...
55 aksidente brenda ditës në Kosovë, policia shqiptoi mbi 22...