Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë 5 mijë trupa shtesë në Poloni, vetëm pak ditë pasi Pentagoni kishte pezulluar një vendosje të planifikuar forcash në vendin aleat të NATO-s.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump deklaroi se vendimi lidhet me marrëdhëniet e ngushta me presidentin aktual të Polonisë, Karol Nawrocki.
“Bazuar në zgjedhjen e suksesshme të Presidentit të tanishëm të Polonisë, Karol Nawrocki, të cilin isha krenar ta mbështesja, dhe marrëdhënien tonë me të, jam i kënaqur të njoftoj se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë 5,000 trupa shtesë në Poloni”, shkroi Trump.
Njoftimi konsiderohet një kthesë e fortë politike, pasi vetëm pak ditë më parë Pentagoni kishte bërë të ditur se do të vononte rotacionin e rreth 4 mijë trupave amerikane në Poloni, si pjesë e një rishikimi të pranisë ushtarake amerikane në Evropë.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance e kishte mbrojtur vendimin fillestar, duke deklaruar se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj. Ai theksoi se “Polonia është e aftë të mbrojë veten me shumë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara”.
Megjithatë, pezullimi fillestar i vendosjes së trupave kishte shkaktuar shqetësim në Varshavë, mes frikës për kërcënimin rus dhe luftën e vazhdueshme në Ukrainë. Vendimi u kritikua gjithashtu edhe në Kongresin amerikan.
Zhvillimi vjen vetëm disa orë përpara takimit ministror të NATO-s në Suedi, ku sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio pritet të marrë pjesë mes tensioneve të vazhdueshme midis Uashingtonit dhe aleatëve evropianë.
Rubio deklaroi se Trump është “shumë i zhgënjyer” nga disa vende të NATO-s që nuk kanë lejuar përdorimin e bazave të tyre për operacionet amerikane, duke veçuar Spanjën.
“Keni vende si Spanja që na mohojnë përdorimin e këtyre bazave – atëherë pse jeni në NATO? Kjo është një pyetje shumë e drejtë”, tha Rubio.
Prej kohësh, Trump ka kritikuar aleatët e NATO-s për mosrritjen e kontributit në sigurinë kolektive dhe ka ngritur pikëpyetje mbi angazhimin e SHBA-së ndaj aleancës.
Ndërkohë, Polonia vazhdon të konsiderohet një nga aleatët më të afërt të SHBA-së në Evropë, duke qenë ndër vendet me shpenzimet më të larta ushtarake në NATO dhe një mbështetëse aktive e operacioneve amerikane në Irak dhe Afganistan.
Vrasja e të riut në Prishtinë, Prokuroria siguron pamjet nga...
Nis fushata për zgjedhjet e parakohshme, KQZ tregon rregulla...
Shisnin drogë pranë shkollave në Durrës, ekzekutohen masat e...
Vdes zyrtarja policore, Policia shpreh ngushëllime
Gjashtëmbëdhjetë nxënës të vrarë në zjarr në një shkollë në ...
Maran zbardh listën e Shqipërisë për miqësoret e qershorit