Mijëra shoferë të kamionëve në Bosnje kanë ndërprerë dërgesat në mbarë vendin të hënën, më 1 shtator, duke kërcënuar se do të bllokojnë mallrat derisa kërkesat e tyre, për kushte më fleksibile të udhëtimeve dhe mbështetje më të madhe brenda Bashkimit Evropian, të plotësohen.
Rreth 6.000 shoferë kamionësh ndalën pothuajse krejtësisht transportin e mallrave, duke shkaktuar kolona në trafik. Shoferët po kërkojnë kushte më të mira pune në tregun kryesor të eksportit të vendit, në BE.
Sipas shifrave zyrtare, vitin e kaluar BE-ja përbënte rreth 64 për qind të tregtisë së huaj të Bosnjes.
Mbi 90 për qind të mallrave transportohen përmes transportit rrugor.
“Ne kemi ndaluar zinxhirët tanë të furnizimit përmes Bosnje e Hercegovinës”, tha Velibor Peuliq nga asociacioni kryesor i shoferëve të kamionit në Bosnje, Konzorcijum logistika BiH.
Ky asociacion ka penguar që rreth 4 mijë tonë mallra të shkonin në kryeqytet, Sarajevë, tha Peuliq.
Për muaj të tërë, përfaqësuesit i këtij sektori, i cili ka ndërmjet 15 mijë deri në 18 mijë shoferë, kanë kërkuar nga autoritetet të negociojnë me BE-në për ndryshimin e një rregulli që ata e quajnë “diskriminues” ndaj tyre.
Qëndrimi i tyre në bllokun evropian, ku Bosnja synon të anëtarësohet, është i kufizuar në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore – afat që vlen edhe për turistët.
Ky rregull daton që nga viti 2008, kur Bosnja nënshkroi një marrëveshje tregtare me BE-në.
Shoferët kërkojnë një përjashtim nga rregulli i 90 ditëve ose që vizitat e tyre të maten në orë, në vend të ditëve.
“Pasi zinxhirët e furnizimit të ndalen, kjo do të jetë e dukshme në çdo qytet… Shpresojmë që ministritë të nisin të bëjnë punën e tyre që nga sot”, deklaroi Peuliq.
Rreth 10 pika kufitare janë bllokuar përmes vendosjes së kamionëve dhe shumica e kamionëve janë vendosur në kufi me Kroacinë, sipas klubit automobilistik BIHAMK.
Edhe pse qëllimi i shoferëve të kamionëve nuk ishte të bllokonin trafikun rrugor, veprimi i tyre ka shkaktuar vonesa të mëdha në hyrjet e disa qyteteve, përfshirë kryeqytetin e Bosnjës, Sarajevë, tha BIHAMK./rel
Ura për këmbësorë mbi lumin Ibër nga nesër lëshohet për qark...
“Po du me të këqyr”, Klodi skuq Benitën
Përplaset për vdekje këmbësori në Krujë, shoqërohet në komis...
Ushtria amerikane: Tetë të vrarë nga sulmet e fundit ndaj an...
“E mallkoj ditën kur jemi takuar”, Londrimi ngacmon Edin dhe...
Bislimi publikon letrën nga BE: Komisioni ka vendosur për he...