Shpërthim në një restorant në qendër të Moskës, të paktën tre të vdekur dhe 15 të lënduar

07:48 | 2 Gusht 2026
E.G

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur të shtunën në një restorant të vendosur në qendër të Moskës, duke shkaktuar 3 viktima dhe 15 të plagosur. Ngjarja ka mobilizuar menjëherë shërbimet e emergjencës dhe autoritetet hetimore ruse.

Sipas të dhënave zyrtare të përcjella nga mediat shtetërore ruse, nga shpërthimi kanë humbur jetën të paktën tre persona, ndërsa numri i të lënduarve mbetet i lartë.

Lidhur me situatën në vendngjarje dhe ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit, agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti raportoi se “të paktën 15 persona u plagosën në shpërthim dhe hetuesit, ekspertët mjeko-ligjorë dhe shërbimet e emergjencës po punonin në vendngjarje“.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Sheshit Kudrinskaya, një nga pikat mjaft të populluara të kryeqytetit rus.

Përfaqësues nga Komiteti Hetues i Moskës konfirmuan se ekspertët po punojnë për të përcaktuar shkaqet e sakta të këtij shpërthimi dhe bilancin e plotë të dëmeve:

Pavarësisht se hetimet janë në hapat e tyre të parë, grupet hetimore nuk kanë bërë ende me dije nëse shpërthimi ka ardhur si pasojë e ndonjë defekti teknik (si rrjedhje gazi) apo nga ndonjë faktor tjetër i jashtëm.

/rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale